Një 70-vjeçare ka humbur jetën, pasi është gjetur e pajetë e asfiksuar në makinën e saj, teksa vazhdon ende kërcënimi dhe shkatërrimi nga zjarret e mëdha në Kaliforni. Rreth 5700 zjarrfikës kanë luftuar me flakët njoftojnë autoritetet vendase teksa shtojnë se tre prej tyre janë lënduar. Ata bëjnë të ditur gjithashtu se 500 ndërtesa janë shkatërruar.

Si pasojë e zjarreve të mëdha të paktën 54 kuaj janë vrarë duke u djegur të gjallë. Ekipet e shpëtimit janë përpjekur t’i shpëtojnë ata, por ka qenë e pamundur për shkak të flakëve të mëdha.

Zjarret në Kaliforni kanë prekur dhe shkatërruar edhe bizneset. Shumica e të mbjellave të avokados në Kaliforni janë shkatërruar. Rreth 90% e avokadove të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rriten në Kaliforni dhe kjo industri i kushton miliona ekonomisë amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shpallur gjendje emergjence në Kaliforni.

Rreth 200 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, teksa zjarrfikësit përpiqen të shuajnë flakët në disa fronte. Autoritetet kanë aktivizuar nivelin më të lartë të alarmit duke e përshkruar si gjendje tepër kritike.