Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak për vendosjen e një tarife maksimale prej 700 lekësh në plazhet e qytetit.
Në një deklaratë publike, Mersini bëri të ditur se një pjesë e konsiderueshme e vijës bregdetare do të jetë në dispozicion falas për qytetarët. Sipas saj, bëhet fjalë për rreth 15 mijë metra plazh publik, ku do të vendosen rreth 350 çadra dhe shezlongë pa pagesë.
Ajo sqaroi gjithashtu se përveç këtyre hapësirave të pajisura, do të ketë edhe zona të tjera publike pa çadra dhe shezlongë, ku pushuesit mund të përdorin pajisjet e tyre personale.
Sa i përket tarifës prej 700 lekësh, kryebashkiakja theksoi se ky është një çmim tavan për plazhet që menaxhohen në bashkëpunim me subjektet private. Sipas saj, ndryshe nga sezoni i kaluar kur çmimet arrinin deri në 2 mijë lekë, këtë vit asnjë subjekt nuk do të lejohet të aplikojë tarifa më të larta se 700 lekë.
Vendimi ka nxitur debate në Këshilli Bashkiak i Vlorës dhe në opinionin publik gjatë ditëve të fundit, ndërsa autoritetet vendore theksojnë se synimi është vendosja e rregullave të qarta dhe mbrojtja e qytetarëve nga abuzimet me çmimet gjatë sezonit turistik.





