Prej disa ditësh, në rrugën “Aleksandër Goga” ka nisur punimet për ndërtimin e rrjetit të ri unazor për furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm, nga Porto Romano deri në lagjen 18.

Ky është një investim që po kryhet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime (AKUM) me vlerë afro 700 milion lekë (të reja), fonde të buxhetit të shtetit.

Punimet po kryhen të ndara në tre lote dhe janë tre kompani fituese të tenderave që po realizojnë ndërhyrjet në terren.

Afati i përfundimit të punimeve është shtator 2022.

Sipas burimeve nga Ujësjellës Kanalizime Durrës, po ndërtohet tubacioni kryesor me dimension nga 250 mm deri 500 mm dhe pas tij rrjeti sekondar dhe terciar për të gjitha lagjet.

Projekti parashikon edhe ndërtimin e një depoje të re me kapacitet 2000m3 në Porto Romano.

Në përfundim të tij të gjitha lagjet e qytetit do kenë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Në projekt është parashikuar edhe instalimi i matësve inteligjent (leximi në distancë dhe i kontrolluar disa herë gjatë ditës).