700 pako me ndihma ushqimore dhe detergjentë nga Rezervat e Shtetit janë në proces dorëzimi pranë familjeve në nevojë dhe pensionistëve të vetmuar në qarkun e Durrësit. Shifrën e bën publike prefekti Roland Nasto, i cili saktëson për DurrësLajm se 300 pako do të shpërndahen në njësinë nr.2, 5 dhe në Katund të Ri, 350 do të shpërndahen në Krujë dhe Fushë Krujë dhe 50 në Shijak.
Në total, në 3 bashkitë e qarkut Durrës janë shpërndarë respektivisht 3178 pako në Durrës, 3865 në Krujë dhe 1257 pako në Shijak.
Nasto thekson se prioritet kanë pasur krahas familjeve në nevojë dhe pensionistëve të vetmuar edhe familjet e prekura më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, një pjesë e të cilave jetojnë ende në çadra.
Ndërkohë, përsa i përket shpërndarjes së pensioneve në shtëpi nga Posta Shqiptare, rreth 70% e pensionistëve në të gjithë qarkun e kanë marrë tashmë pensionin e muajit prill, ndërsa pjesa tjetër pritet ta marrë në ditët në vijim.
Riatdhesimi i shqiptarëve
Nga dita e shtunë e javës së kaluar nisi riatdhesimi i shtetasve shqiptarë të mbetur në vende të ndryshme të Evropës për shkak të mbylljes së kufijve si masë parandaluese për përhapjen e Covid-19. Deri të martën janë kthyer në atdhe 467 shtetas shqiptarë, të cilët janë vendosur në karantinë 14 ditore në 7 hotele përgjatë vijës bregdetare të Durrësit dhe Golemit, si Sun, Horizont, Ibiza, etj, ndërkohë që listës priten t’i shtohen në ditët në vijim edhe hotele si Fafa, Bonita etj.
Prefekti Nasto bën të ditur se aktualisht nuk ka shqiptarë të riatdhesuar të vendosur tek Konvaleshenca në Plepa, pasi qeveria vendosi akomodimin e shqiptarëve në hotele, ku një pjesë e shpenzimeve përballohen nga vetë ata, ndërsa pjesa tjetër nga shteti. Kryeministri Rama deklaroi javën e kaluar se qëndrimi ditor në hotel është 21 euro, nga të cilat 14 euro do të paguhen nga qeveria për fjetjen dhe shërbimin dhe 7 euro që është ushqimi do të paguhet nga vetë qytetari.
Inspektoriatet kontrolle në subjektet private, gjobisin 5 fasoneri
Nga dita e hënë nisi lehtësimi i masave dhe hapja e një numri të konsiderueshëm biznesesh private, të cilat duhet të repektojnë rigorozisht paketën e masave mbrojtëse të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë këtyre ditëve, puna e Inspektoriatit të Shëndetësisë, Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, AKU-së dhe Hetimit Tatimor është përqendruar në kontrollet e subjekteve private përsa i përket respektimit të këtyre masave si distanca mes punonjësve dhe klientëve, pajisja me maska, doreza dhe dezinfektantë për stafin etj.
Prefekti Nasto bën të ditur se janë mbyllur 2 fasoneri në Krujë pas regjistrimit të disa rasteve me Covid-19 në to, ndërsa 5 fasoneri të tjera në Krujë janë gjobitur për mos respektimin e distancës së kërkuar mes punonjëseve. Prefekti thekson se krahas hapjes së bizneseve do të intensifikohen kontrollet me qëllim ndërgjegjësimin e të gjithëve, subjekte private dhe klientë, për respektimin e masave mbrojtëse.





