14 nëntor 2015 – Me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944-n, Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne për 71-vjetorin e çlirimit të qytetit.
Të shumtë ishin pjesëmarrësit në këtë ceremoni, kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, prefekti Roland Xhelilaj, deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu, kreu i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës Xhemal Kacani, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
“Durrësi u bë një ndër qytetet më të rëndësishme të lëvizjes Nacionalçlirimtare. Qyteti nuk e ndali luftën për çlirim, por përkundrazi e shtoi atë edhe më shumë. As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës ndaj nazifashizmit.
Sot, pas 71 vjetësh në jemi krenarë të përkujtojmë ditën historike të 14 Nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit.
Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim këtë respekt e mirënjohje, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojmë sot këtë qytet na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri të lirë dhe evropiane”, u shpreh Dako gjatë hapjes së ceremonisë.
Pas tij, fjalën e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilët sollën kujtimet e tyre nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.
Po kështu, me rastin e kësaj dite Bashkia e Durrësit kishte organizuar edhe çeljen e një ekspozite Retrospektivë në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” ku janë ekspozuar relike të luftës për çlirim si dhe piktura me këtë tematikë të autorëve të njohur shqiptarë, ndërkohë që më pas të pranishmit kanë ndjekur edhe një koncert me motive patriotike në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”.
/portali DurresLajm/