Policia Kufitare ka parandaluar një rast të tentativës për trafik të lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Efektivët e Sarandës kanë sekuestruar në kufirin e gjelbërt 4 çanta të mbushura me 75 kg kanabis, ndërsa poseduesit e saj janë arratisur.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, rreth orës 16:30 në vendin e quajtur “Lerat e Vlashit”,  kanë konstatuar tre persona që po transportonin disa çanta shpine ku dyshohej se kishin lëndë narkotike”, informon policia.

Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të trafikantëve të cilët porsa kanë parë se po ndiqeshin nga policia, kanë braktisur çantat dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të pyllit.

Policia Kufitare sekuestroi në cilësinë e provës materiale 4 çanta shpine të zeza, brenda të cilave gjendej lënda narkotike e llojit canabis sativa, e paketuar në qese transparente.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë po vijone krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tre personave që trasportonin lëndën narkotike.

Ndërkohë vijon puna per identifikimin dhe gjetjen e personave të implikuar në këtë trafik.