Policia italiane ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se lëshonin kontrata pune false për emigrantët. Me anë të dokumenteve të falsifikuara, emigrantët siguronin lejen e qëndrimit, si dhe merrnin asistencën nga shteti italian, e cila aplikohet për nënat shtatzënë dhe të papunët.

Deri më tani policia ka vendosur nën hetim 78 persona, të cilët kanë përdorur kontratat false të punës, për të siguruar lejen e qëndrimit, duke paguar shuma të mëdha në këmbim.

Hetimi ndaj tyre ka nisur që në 2017-ën, pas arrestimit të disa shtetasve për vjedhje, kryesisht shqiptarë, të cilët zotëronin lejen e qëndrimit, nëpërmjet punësimit në disa kompani të ndryshme, të cilat ishin në pronësi të një biznesmeni 77-vjeçar nga Padova.

Gjatë hetimeve u zbulua, se emigrantët nuk kishin punuar kurrë në kompanitë e 77-vjeçarit, pavarësisht se ishin të regjistruar. Gjithashtu kompanitë, në të cilat ishin regjistruar emigrantët, operonin në mënyrë ilegale, duke i shkaktuar shtetit italian një dëm prej 80 mijë eurosh.