Të paktën 78 persona kanë vdekur nga temperaturat e ulëta në Afganistan në nëntë ditët e fundit.

Së bashku me humbjen e jetëve njerëzore, më shumë se 77,000 bagëti kanë ngordhur në ditët e fundit. Kjo e ka thelluar edhe më shumë krizën humanitare që ka përfshirë vendin qëkur talebanët erdhën në pushtet.

Temperaturat ranë deri në minus 28 gradë Celsius, ndërsa meteorologët kanë parashikuar se kushtet e motit do të përkeqësohen edhe më shumë gjatë javëve të ardhshme. Ulja e temperaturave është nën mesataren për këtë periudhë të vitit, me kushtet më të ftohta të regjistruara në veri.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) në Afganistan ka bërë të ditur se humbjet e bagëtive përbënin një rrezik të mëtejshëm për familjet dhe më shumë se 21 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim dhe mbështetje bujqësore. Marrja e pushtetit nga talebanët në Gusht 2021 e ka zhytur Afganistanin në një krizë ekonomike.

Disa vende kanë dërguar mjete për t’u ngrohur, para për karburant dhe rroba të ngrohta për familjet, por shpërndarja e ndihmave është ndikuar rëndë nga vendimi i talebanëve për të ndaluar punonjëset femra të OJQ-ve.

Më  shumë se gjysma e këtyre organizatave kanë pezulluar përkohësisht operacionet e tyre në Afganistan që nga dhjetori, kur talebanët urdhëruan të gjitha organizatat joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare të ndalojnë punonjëset e tyre femra që të vijnë në punë, ose rrezikojnë t’u hiqen licencat e OJQ-ve.

Gjysma e popullsisë së Afganistanit po përjeton urinë akute dhe ndërkohë dhuna dhe frika mbeten ende të pranishme, sipas një raporti të OKB-së.