Shqipëria përkujton sot 78-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, si dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor dhe veteranë, kanë bërë homazhe për të rënët dhe kanë vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. 

Në kuadër të 78-vjetorit të çlirimit, të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit, duke u përkulur përpara atyre që dhanë jetën e tyre për liri.

“Durresi dhe qytetarët e tij kanë kontribut të ndritur dhe e kanë shkruar me gjak e sakrifica këtë pjesë të historisë së qytetit të tyre. Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim mirënjohjen dhe nderimin, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane.”,– shkruan kryebashkiakja Sako në rrjete sociale.

Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare më 7 prill 1939 dhe ku u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit.

Pikërisht më 7 prill në Durrës ranë dëshmorët e parë siç ishte heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona. Fryma e kohës i kishte ndërgjegjësuar banorët durrsakë dhe shumë të rinj ishin hedhur në çetat partizane.