Firence, 20 maj 2014 – Guardia di Finanza e Firences ka sekuestruar sot 782 kilogramë marijuanë, që kishte mbërritur nga Shqipëria në Itali dhe ka prangosur 9 shtetas, 7 prej të cilëve shqiptarë, një italian dhe një rumun.
Operacioni është kryer në orët e para të ditës së sotme nga policia e Firences, me urdhër të prokurorisë së Romës. Droga e sekuestruar kapte vlerën 4.6 milionë euro dhe ishte destinuar për tregun e Romës dhe rajonit të Markes dhe Ligurias. Të arrestuarit janë vënë në pranga në qytetet e Romës, Tivolit, Xhenovës, Pezaros dhe Askoli Piçenos, por identiteti i tyre nuk është bërë ende publik.
Sipas medieve italiane, organizata kriminale që kishte zotëronte këtë sasi të madhe kanabisi drejtohej nga 3 shqiptarë. Droga futej në Itali, përmes korrierëve të kësaj organizate, që e fshihnin atë në automjete dhe mjete të tjera transporti. Ndërkohë, për shpërndarjen e drogës nëpër destinacione të ndryshme, organizata kishte marrë me qira disa furgonë, të cilët nuk tërhiqnin vëmendjen e autoriteteve.
Më pas, paratë e fituara nga shitja e drogës dërgoheshin sërish në Shqipëri. Paratë sistemoheshin në pako që u jepeshin shoferëve të autobuzëve të linjës Romë – Tiranë, të cilët nuk kishin aspak dijeni se çfarë ndodhej brenda pakos.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





