Durrësi rrezikon të përballet me një rritje me 7 gradë Celcius të temperaturave në 15 vitet e ardhshme. Studimi i realizuar nga Banka Botërore e rendiste qytetin bregdetar në krye të listës së qendrave të mëdha urbane të Ballkanit Perëndimor, që do të përballen me valën e të nxehtit deri në vitin 2040.

Urbanizimi dhe betonizimi pa kriter i qytetit shihet si një nga faktorët kryesorë që mund ta ekspozojë Durrësin ndaj temperaturave të larta. Sipas urbanistit Ardian Muka, reduktimi i ndjeshëm i hapësirave të gjelbëra dhe mbyllja e korridoreve të ajrit, që garantohej nga mbrojtja natyrore e kodrave rreth e qark ka dëmtuar mikroklimën e qytetit 3000-vjeçar.

” Qyteti i Durrësit është një qytet i zhveshur nga pemët, pra duke mos patur gjelbërim nuk mund të ndodhë edhe transmetimi i temperaturës, qoftë edhe nga mikroklimat, ku pemët arrijnë ta japin ndikimin e tyre. Unë shoh ndër vite që i kemi bërë keq qytetit, me prishjen e korridorëve të ajrit, qyteti ka nevojë të ajroset. Pjesa drejtuese ka vënë edhe një mur me ndërtimet e reja në zonën e bregdetit. Durrësi karakteristikë ka erërat e tokës dhe të detit, të cilat gjatë natës dhe ditës shkëmbehen dhe kjo ajrosje nuk do bënte të mundur ngritjen e temperaturave me 7 gradë.”, tha urbanisti.

Babëzinë për ndërtime në 20 vitet e fundit, Muka e sheh si shkaktarin kryesor të betonizimit të qytetit, që deri 3 vite më parë nuk kishte miratuar planin e përgjithshëm vendor për zhvillimin urban.

“Natyrisht që shkaktarët jemi ne. Kur them ne janë të gjithë ata që kanë patur mundësi të ndikonin në këtë operacion, pra në atë që është urbanizimi i qytetit. Për fat të keq ne prej 12 viteve jemi drejtuar nga një injorant, si kryetar bashkie, i cili kishte një interes personal me zhvillimin, pasi donte të hidhte sa më shumë m3 beton, pasi e kishte familja e tij dhe drejtohemi nga një kryeministër i cili është një piktor, ku natyrisht ngjyrat dhe linjat ndikojnë në atë çfarë është qyteti, por njerëzit tek e fundit duan të jetojnë.”, u shpreh ai.

Ndryshimet klimatike po shoqërohen në të gjithë botën me fenomene ekstreme të motit, prandaj mbetet detyrë primare hartimi i strategjive dhe marrja e masave konkrete për të parandaluar efektet e ngrohjes globale.

Në vitet në vazhdim, urbanisti Muka rekomandon disa ndërhyrje konkrete në transportin publik, ngrohjen në banesa dhe biznese si dhe gjelbërimin e qytetit.

“Duhet të shkojmë drejt ngrohjes diellore, drejt zgjidhjeve që janë miqësore ndaj ambientit. Duke filluar nga transporti publik, ku duhet të kalojmë në atë elektrik, apo transportin me hidrogjen, Në të gjitha ndërhyrjet urbane që do të bëhen, duhet të shtojmë numrin e gjelbërimit nëse duhet t’i shpëtojmë këtij 7 gradëshi, i cili është shumë”.

Në studimin e saj, Banka Botërore raportonte se valët e të nxehtit kanë implikime për shëndetin publik dhe mirëqenien socio-ekonomike dhe kanë ndikim negativ në produktivitetin e punës në të gjithë sektorët, sidomos në bujqësi dhe ndërtim.

M.B.