Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë. Pikërisht për këtë revolucion studentor foli edhe kryedemokrati Sali Berisha në konferencën e sotme për shtyp. Ai theksoi se kjo lëvizje “përzuri” edhe Beogradin i cili sipas tij diktonte politikën e Tiranës.
“Ne sonte nderojmë revolucionin demokratik të viteve ’90, apo Lëvizjen Studentore, e cila përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së lirisë, të kombit shqiptar. Përbën një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve në rrugën e lirisë. Rruga e lirisë nuk ka qenë një rrugë e sheshtë për shqiptarët, ka qenë një rrugë shumë e vështirë. Një komb që kishte përjetuar shekuj, mos më shumë, pushtime të huaja.
Një komb që erdhi në agun e shekullit të kaluar, më shumë për tu copëtuar, me fjalë të tjera për tu zhdukur. Një komb që Lufta e Dytë Botërore, ishte më i pari në Europë që u pushtua dhe pushtimi i tij kaloi pa u regjistruar. Përveç medieve, asnjë kancelari pothuajse nuk tha një gjysëm fjale publikisht, dhe që një komb që ditën e çlirimit, shqiptarët luftuar kundër pushtuesve, arritën të rreshtohen në anën e aleatëve, ndonëse lufta mori aspekte të tmerrshme të luftës civile, por prap, ditën e largimit të pushtuesit të huaj, në Tiranë do të vendosej një pushtues tjetër, më i pamëshirë, më barbar që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë.
Do të instalohej ai që me të drejtë në pranverën e vitit 1990, pikërisht partitë që votuan dy ditë më parë në Uashington rezolutën e PD-së, në deklaratën e tyre do të shpallnin Enver Hoxhën, Hitleri shqiptar i pas luftës së Dytë botërore. Pra në këtë udhëtim të vështirë të kombit, revolucioni demokratik i Dhjetorit ’90, apo lëvizja studentore ishte dhe do të mbetet një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e lirisë.
Ishte një ngjarje, një revolucion që jo vetëm ndau sistemet, ndau epokat, pra, sistemin totalitar nga sistemi demokratik që do të vendosej. Epokën e lirisë, me epokën e shtypjes dhe represionit. Por përveç këtyre ky revolucion kishte një tipar tjetër, kardinal. Ishte një revolucion nacionalist qytetar, në kuptimin se, përherë të parë në historinë e vendit, një pushtet pa asnjë lidhje me armikun shekullor të shqiptarëve, Beogradin, do të vinte ose do të niste rrugën drejt pushtetit në Tiranë. Pra ky revolucion përzuri edhe Beogradin i cili në fakt, në fakt, në çdo kohë dhe rrethanë diktonte politikën e Tiranës. Pra ishte revolucion demokratik, ishte një revolucion kombëtar”, deklaroi Berisha.