30-vjetori i Lëvizjes së Dhjetorit ka sjellë reagime nga politika shqiptare. I pari që ka shkruar për këtë ditë të rëndësishme ka qenë kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet socialie, ai thotë se 30 vjet nuk janë shumë në rrugën e historisë së një vendi sidomos si i yni që kaloi nga një diktaturë ekstreme në një demokraci funksionale.

30 vjet pas daljes së studentëve në rrugë, Rama e konsideron privilegj të qenurit pjesë e përpjekjeve të vendit përgjatë rrugës demokratike të  vendit.

“Bëhen plot 30 vjet sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite”, tha Rama.

Edhe Lulzim Basha përkujtoi këtë ditë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e shoqëronte me  një video me pamje nga Lëvizja e Dhjetorit. Kreu i demokratëve i quan heronj të rinjtë e 30 viteve më parë dhe thotë se ata ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimit. E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan. Në 30-vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha.