Komedia “8 femrat” ka rezultuar një sukses i vërtetë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Regjisorja Driada Dervishi arriti edhe njëherë të magjepsë publikun durrsak, ndërkohë që interpretimi mjaft i arrirë i 8 aktoreve të kësaj vepre bëri që ato të rrëmbenin duartrokitje të gjata nga artdashësit e pranishëm në sallën e teatrit.

Në të pesta netët që kjo shfaqje teatrale u vu në skenë në Durrës, salla ka qenë e mbushur plot, madje biletat ishin prenotuar ditë më parë.

Pas suksesit në Korçë e më pas në Tiranë, regjisorja Dervishin e solli shfaqjen para artdashësve të qytetit të saj, të cilët menjëherë kanë treguar interes shumë të madh për shfaqjen.

“8 femrat” ka bërë bashkë për herë të parë disa nga aktorët më të mira të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Olta Daku, Rajmonda Bulku, Zamira Kita, Merita Çoçoli si dhe brezin e ri të aktorëve që do të vazhdojnë traditën e aktrimit në teatër si Klodjana Keço, Blerta Belliu, Ilda Pepi dhe Paola Kodra.

Komedia zbërthen misterin e gënjeshtrave, të fshehtave që mbanin anëtarët e një familjeje ndërmjet njëra-tjetrës si dhe intrigave që ato thurrnin për marrjen e testamentit të pasurisë nga gjyshja. Një gjë është e sigurt, regjisorja dhe aktorët për rreth 2 orë do të mbajnë pezull frymën e publikut, duke i larguar nga jeta e përditshme, thotë regjisorja Dervishi në një intervistë për “DurrësLajm”.

Të gjitha këto zbulohen nëpërmjet një provokimi që thur babai me vajzën e vogël dhe lojës që zhvillohet më pas për të zbuluar vrasësin e babait, një vrasje e trilluar kjo nga vajza e vogël dhe që nxjerr në pah të vërteta tronditëse të kësaj familjeje.

K.H.