Pas një suksesi absolut në Tiranë, “8 femrat” e Driada Dervishit mbërrijnë në skenën teatrore të Durrësit.

Aktore të karrierës dhe gjenerata e re do të ngjiten për 4 net rresht në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” për të interpretuar komedinë misterioze me nota muzikali.

Yllka Mujo, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Zamira Kita, Merita Çoçoli, Klodiana Keço, Paola Kodra, Blerta Belliu dhe Ilda Pepi, iu është dhënë një detyrë nga regjisorja durrsake Driada Dervishi, të zbërthejnë personalitetin e një femre në gjithë ciklet e saj të jetës.

Zbulimi i gënjeshtrave, intrigave mes anëtarëve të së njëjtës familje dhe shërbyeseve të tyre, vjen përmes humorit të hollë nga një prej aktoreve më të mira të teatrit sot, Olta Daku.

Por për të bërë të mundur këtë duhet të vdesë një burrë dhe ai është bashkëshorti i Gabit, interpretuar nga Yllka Mujo. Pas kësaj, secila prej tyre është një e dyshuar për krimin.

Aktoret më të njohura Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita e Rajmonda Bulku janë në qendër të farsës që gërshetohet mes melodramës e muzikalit. Merita Çoçoli, Klodiana Keco, Paola Kodra, e më gjerë i bashkohen harmonikisht ansamblit të aktoreve për të argëtuar publikun me batutat e komedisë së zezë.

“8 femrat” me regji të Driada Dervishit e kostumografi të Berina Kokonës, do të ngjitet në skenë në datat 14, 15, 16 dhe 17 tetor ora 19.00.

Nuk duhet humbur!

S.L.