ROME, 08 mars 2013 – "Tre fjalë tingëllojnë akoma si një dënim në disa shtete: 'it's a girl' (është vajzë). Janë 603 milion gra që jetojnë në vende ku dhuna ndaj femrave dhe fëmijëve nuk konsiderohet krim. Është koha të themi mjaft!”.
Ky është apeli i lëshuar nga Nju Jorku, gjatë sesionit të 67 të punimeve të komisionit të OKB-së për barazinë gjinore, nga Raffaele K. Salinari, presidenti i Federatës Terre des Hommes.
Me rastin e festës ndërkombëtare të grave është prezantuar në Nju Jork studimi "Dhuna ndaj femrave të reja: dhunim i të drejtave njerëzore". Raporti është hartuar nga studio ligjore Paul Hastings dhe në të theksohet nevoja për të harmonizuar në të gjithë botën legjislacionin për parandalimin, luftën dhe kriminalitetin në të gjitha format e mundshme, kur ai adresohet ndaj grave dhe fëmijëve. Fakt shqetësues është denoncimi se dhuna ndaj grave dhe fëmijëve është një fenomen në rritje edhe në vende të zhvilluara dhe shfaqet në forma nga më të ndryshmet.
Në sesionin e mbajtur në Nju Jork u theksua se një rëndësi mjaft e madhe i duhet kushtuar arsimimit dhe mbrojtjes së femrave të reja, në mënyrë që çdo femër të jetë në gjendje të mbrohet nga dhuna dhe të kontribuojë për ndërtimin e një familjeje të shëndoshë dhe një komuniteti më të zhvilluar.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





