Ky 8 mars e gjen qarkun e Durrësit me shifra alarmante përsa i përket rasteve të denoncuara në polici për veprën penale “Dhunë në familje” dhe pajisjen e të dhunuarave me urdhër mbrojtjeje.
“Viti i kaluar pati shifra shumë të larta 777 vepra dhune, nga të cilat 444 ishin urdhra të menjëhershëm mbrojtje, ndërkohë që viti 2024 sërish regjistron shifra alarmante të raportimit të dhunës përsa kohë kemi 59 urdhra të menjëhershëm mbrojtje të lëshuar vetëm në dy muajt e parë të këtij viti”,- tha avokatja Erisilda Shpata.
Protesta e zhvilluar në sheshin “Liria” kishte në fokus ngritjen e zërit për të drejtat e grave dhe vajzave dhe respektimin e të drejtës së jetës ,pikërisht në këto kohë kur rastet e dhunës në familje, vetëvrasjet dhe vrasjet e grave dhe vajzave kanë tronditur opinionin publik.
Në vendin tonë, 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, është trajtuar tradicionalisht si ditë feste, krejt ndryshe nga historiku i kësaj date të rëndësishme që lindi si një protestë e lëvizjes punëtore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur 15,000 gra marshuan në qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar orë më të shkurtër pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës.
M.B.