Në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas u zhvillua ceremonia e përvitshme për shpalljen e 10 grave më të suksesshme të qytetit të Durrësit përgjatë vitit që lamë pas.

Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, projekti “Gratë e suksesshme” ka vlerësuar gra me kontribute të veçanta në fushat ku ato ushtrojnë profesionin apo biznesin e tyre.

Organizatorja e këtij eventi, Myzejen Konduri, gjatë fjalës së saj, theksoi se sa i rëndësishëm është fuqizimi i zërit të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë.

”Uroj që të kemi sa më shumë gra që shkëlqejnë në punën e tyre. Uroj që motoja jonë për vitin 2024 të jetë ‘Së bashku të fitojmë të gjitha betejat që na përball jeta. Së bashku më me shumë dashuri, suksese, që të na ndiçojë jeta jonë’”, tha ndër të tjera Konduri.

Mes 10 grave të vlerësuara me titullin “Nderi i punës” kishte biznesmene, profesioniste të lira, mjeke etj, që me punën e përkushtimin e tyre janë shembull për t’u ndjekur:

Milva Ekonomi u vlerësua me diplomën ” Simbol i Gruas”

U vlerësuan me diplomën “Nderi i punës”:

Haxhire Gelaj – Pediatre

Etleva Qendro – Informaticiene

Asemina Cokani – Biznesmene

Pamela Nika – Administratore e Ventouris Ferris

Miranda Misho – Drejtoreshë  e shkollës “Abedin Dino”

Etleva Budini – Drejtoreshë e Postës Durrës

Lejla Iljazi – Inxhiniere ndërtimi

Marjana Goxhalliu – Piktore

Elona Dalipi – Farmaciste

Silvana Toli– Stomatologe

Ndryshe nga vitet e kaluara, nisur dhe nga ngjarjet e rënda të këtij viti, një hapësirë e veçantë ju kushtua sensibilizimit për mbrojtjen e grave, të cilat shpesh kthehen në viktima të dhunës në familje nga dora e bashkëshortëve apo të afërmve.

”Jam e bindur që ne gratë me forcën tonë duhet ta kthejmë respektin dhe vlerësimin, mirëkuptimin në mbarëvajtje të familjes, sepse gruaja i përket përjetësisë, është ajo që siguron vazhdimësinë e së ardhmes”, tha në fund Konduri.

Gjatë ndarjes së diplomave për 10 gratë më të suksesshme, prefekti Emiljan Jani theksoi ndër të tjera:

“Kënaqësi të marrësh pjesë në këto evente që organizon zonja Konduri, sepse eventet i ka me masivitet po mjaft cilësor dhe mjaft domethënës. Desha të theksoja se ky aktivitet është në skenë prej 27 vitesh, çdo vit ka nxjerrë dhe ka promovuar 10 gra të qytetit të Durrësit.”

Gjatë eventit, u nderua me titullin e veçantë “Simbol i gruas” ish-ministrja Milva Ekonomi, e cila për shkak të angazhimeve politike, nuk ishte e pranishme në sallë.

Me kontributet e 10 grave më të suksesshme të Durrësit dhe jo vetëm u mundësuan 20 pako dhuratë për 20 fëmijë të shkollës “Vasil Ziu”, që vijnë nga familje në gjendje të vështirë ekonomike.

Gjatë aktivitetit nuk munguan interpretimet artistike të ansamblit “Arjan Plaku, por edhe zëri i magjishëm i mezzo sopranos Olta Juba dhe këngëtarëve të njohur të skenës shqiptare.   

M.B.