8 Marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Gruas në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. “Zëri i protestës” për të drejtat e tyre po dëgjohet gjithnjë e më shumë në një ditë ku urimet, përshëndetjet, kartolinat, buqetat dhe dhuratat kthehen tashmë në elementet kryesore, që përbëjnë ditën e nënave dhe femrave shqiptare më 8 Mars! Protestë apo festë, këto koncepte janë të pandashme, por ajo që ka rëndësi është që kjo ditë u përket vetëm atyre, dhe mënyra sesi e organizojnë këtë ditë po ashtu.
Është bërë traditë tashmë që më 8 mars gratë shqiptare të festojnë me mikeshat e tyre, të bëjnë udhëtime, të shpezojnë për veshje, të marrin e të japin dhurata, madje dhe të ‘harbohen’ nëpër club-e…
Teksa në qytetin e Durrësit kanë filluar përgatitjet në lokale e restorante të ndryshme për ta kaluar ditën e gruas në mënyrë sa më festive, me muzikë live apo Dj, ka dhe nga ato gra që kanë preferuar të shkëputen për 2-3 ditë, të bëjnë gati valixhet e të largohen për diku…
“DurrësLajm” kontaktoi me agjencinë turistike më të madhe në qytet, “Albtours D”, të besuar nga pjesa dërrmuese e qytetarëve durrsakë për pushimet apo weekend-et e tyre.
Drejtori i zyrës, Edmond Basho, tregoi për portalin “DurrësLajm” destinacionet më të preferuara nga gratë e Durrësit, që janë kryesisht vendet fqinje si Mal i Zi, Maqedoni e Kosovë.
Gratë tërhiqen kryesisht nga paketat ekonomike kur bëhet fjalë për udhëtime vetëm të seksit të tyre. Ato kanë zgjedhur paketa me kosto nga 50 deri në 150 euro maksimumi për person.
Mbi 96 % e lëvizjeve kanë qenë udhëtime të organizuara në grup; nuk ka paketa individuale për ndonjë destinacion të caktuar.
Të dashuruara pas shopping-ut dhe eksplorimit të vendeve të bukura natyrore si Budva, Kotorri etj, te gratë e Durrësit nuk hyjnë në preferencat e tyre vendet me borë ku ke mundësi për të skijuar.
Vendet e Ballkanit ku janë nisur gratë durrsake, (udhëtime me autobus), janë si më poshtë:
Kosova: Prizreni, Prishtina
Mal i Zi: Budva, Kotorri, Ulqini
Maqedonia: Struga, Ohër
Greqia: Janina (grup më i vogël për këtë destinacion)
Destinacioneve më preferenciale nuk i mungon sërish Budapesti, i vetmi udhëtim që ofrohet me avion me linjë direkte nga Tirana. Kryeqyteti hungarez është kthyer ndër vendet më të vizituara nga shqiptarët, për shkak të çmimit tepër ekonomik që mbulohet nga linja direkte low cost.
Për 2 net qëndrimi në hotel dhe udhëtimi me avion vajtje/ardhje nga Tirana, kjo paketë u ka kushtuar grave durrsake për festën e tyre rreth 135 euro.
S'na mbetet tjetër, veçse t'u urojmë të gjitha grave gëzuar festën e tyre!
S.L.





