Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimi ka bërë sot një përmbledhje të rezultateve të aksionit anti-informalitet, të nisur nga fillimi i korrikut.

Për periudhën nga 4 korriku janë realizuar 6206 kontrolle, tha ajo.

Është rishikuar këstit i tatimfitimjt për më shumë se 8 mijë biznese, që këtë vit kanë deklaruar më shumë fitime.

Drejtoresha e Tatimeve shtoi se të gjitha pompat e karburanteve tashmë funksionojnë me kasa automatike dhe jo manuale. Pas vizitave fiskale në karburante deklarimi është rritur me 5 për qind.

Tatimet u japin bizneseve 10 ditë kohë që të korrigjohen.

Ndërtimi ka qenë një tjetër sektor që është karakterizuar me risk të lartë për evazion. “Në ndërtim për 159 subjektet që janë konsideruar me risk, kemi kryer 114 vizita fiskale. Kompanitë kanë autokorrigjuar deklarimin e tyre”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi tha se po diskutohet që të forcohen masat shtrënguese për moslëshimin e kuponit tatimore. “Për kapje për mosdhënie kuponi për herë të dytë, propozimi është që biznesit t’i bllokohet aktiviteti deri në pagesën e penalitetit. Subjekti s’ka më nevojë të shkojë ne gjykate por mjaft të paguajë penalitetin”. Ajo paralajmëroi një përshkallëzim të penaliteteve.

Pas daljes së listës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për subjektet që kanë më shumë borxhe ndaj tatimeve, Ibrahimi tha se për këto subjekte do të merren masa ndëshkuese.

Nga 892 tatimpagues debitorë, për 282 subjekte, që kanë xhiron më të lartë, sektori i administratës do të shkojë për konfisikimin e 50 për qind të xhiros. Janë 51 subjekte që kanë vlerë më të lartë detyrimi që nuk kanë paguar asnjëherë TVSH. Këtyre subjekte do t’u shkojë sektori i hetimit për të kryer verifikimet se pse kanë bërë deklarim dhe pse nuk kanë paguar dhe situata e tyre reale.

Janë 2419 tatimpagues të cilësuar me risk te larte dhe që do të kontrollohen, paralajmëroi Ibrahimaj.

Në fokus të aksionit janë dhe subjektet që kanë informalitet të punonjësve, ose deklarojnë paga më të ulëta se reale. “Janë 7209 subjekte që paguajnë paga nën mesataren”, tha Ibrahimaj. “Do dërgojmë letra ndaj këtyre punëdhënësve”.

Ndërkohë 13400 individë do marrin letra me qëllim përmbushjen e deklarimit te pagave dhe pagesës së kontributeve.

“Këto janë masat që do të ndërmerren deri në fund të vitit 2019”, tha Ibrahimaj në fund të konferencës për mediat.