Spanjë, 13 maj 2014 – Shifra stratosferike për të parë finalen e Champions League të këtij viti. Në internet kanë nisur të rishiten bileta për supersfidën mes Realit dhe Atleticos në Lisbonë dhe çmimet momentalisht kanë arritur deri në 8000 Euro, kur mbeten edhe pak ditë nga derbi madrilen në tokën portugeze. Ky është çmimi për të gjithë ata që dëshirojnë ta shikojnë live këtë ndeshje në zonën më të mirë të stadiumit Da Luz. Eshtë sektori i njohur si “Kategoria 1” dhe ofron pamjen më të mirë me pozicionimin ballë përballë me fushën.
Biletat më të lira pastaj janë ato të “Kategorisë 4”, që online kanë ridalë në shitje me një çmim prej të paktën 1127 Euro, ndërsa një vend në “Kategorinë 3” kushton rreth 1300 Euro dhe në “Kategorinë 2”, gati 1500 Euro. Janë këto shifra jashtëzakonisht të larta që kapin qiellin, për një finale sado të madhe, ku të gjithë mundohen të përfitojnë dhe çmimet sigurisht që do të vazhdojnë të rriten me kalimin e ditëve dhe orëve.
Nga 70 Euro që kushtonte zyrtarisht bileta më e lirë, vlera aktuale është rritur me 1500%, ndërsa për vendet më të mira në “Da Luz” çmimi duhet të ishte 390 Euro, por tani në treg të zi kushton gati 2000% më shumë. Gjithsesi një gjë është e sigurt, xhepi nuk mund të qepet për duele të tilla dhe deri në fërshëllimën e fillimit të spektaklit në Lisbonë, nuk do të ketë asnjë stol bosh në stadiumin 65 mijë vendësh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





