Rreth 3800 familje kanë përfituar deri tani grantin e rindërtimit të banesës së tyre, ndërsa janë lidhur mes bashkisë dhe qytetarëve rreth 5200 kontrata. Shifrën e bën të ditur kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emirjana Sako, e cila thotë se deri më tani janë shpërndarë rreth 1.2 miliardë lekë. Deri më tani janë miratuar tre lista me emrat e 7913 familjeve që do të përfitojnë shumat 1, 2.5 dhe 5 milionë lekë të vjetra për riparimin e banesave të tyre me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3.
Sot mbushen plot 8 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa pasojat e dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga lëkundja sizmike me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, janë kudo të pranishme në qytet dhe rrethina.
Procesi i Rindërtimit të pallateve dhe banesave private të dëmtuara rëndë nuk ka nisur akoma, ndërsa pritet stina e vjeshtës për fillimin e punimeve. Këtë e paralajmëroi sërish, një ditë më parë, kryeministri Rama, ndërsa inspektonte punimet për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto”, e cila mbeti e dëmtuar nga tërmeti dhe u shemb në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.
Banorët e mbetur pa shtëpi, vazhdojnë ta kalojnë verën e nxehtë nëpër çadra, pasi duruan të ftohtin e dimrit. Ndërsa banorët e strehuar në shtëpi me qira janë në pritje të këstit të 7-të të bonusit, që edhe pse është fundi i korrikut nuk ka nisur ende të kalojë në llogaritë bankare të përfituesve.
Gjatë dy javëve të fundit, Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar listat me emrat e 714 familjeve në Durrës dhe njësi administrative, banesat e të cilave janë me dëmtime DS4 dhe DS5 dhe do të përfitojnë nga Programi i Rindërtimit shtëpi të re, apo do t’i riforcohet shtëpia ekzistuese.
Nuk ka ende një dritë jeshile se çfarë do të bëhet me pallatet shumëkatëshe të dëmtuara rëndë, pasi vetëm për një numër të vogël pallatesh është vendosur për shembjen dhe rindërtimin e tyre në po të njëjtin vend. Paqartësi ka edhe për procesin e riparimit të ambienteve të përbashkëta në pallatet shumëkatëshe, pasi megjithëse shuma prej rreth 1 miliardë lekë është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, nuk janë zbardhur detaje si do të realizohet në praktikë.
Ndërkohë, sot, 8 muaj pas tërmetit, u vu në pranga shtetasi Artur Tereziu, pronari i lokalit “Barons”, i cili ishte shpallur në kërkim. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, pasi ndërhyrjet e bëra në lokalin e katit të parë shkaktuan shembjen e pallatit, ku humbën jetën 2 qytetare të Durrësit.
Nga ana tjetër, në disa nga shkollat e shembura të Durrësit kanë nisur punimet dhe kryeministri Rama pëlqen të theksojë në çdo inspektim që u bën atyre se më 26 nëntor do të jenë gati për të pritur nxënësit. Ndërsa procesi i rikonstruksionit të objekteve arsimore që pësuan dëme nga tërmeti nuk ka nisur ende, megjithëse jemi vetëm një muaj e gjysëm larg nisjes së vitit të ri shkollor.
M.B.





