Bashkia e Durrësit ka zhvilluar sot dy dëgjesa publike në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” dhe kopshtin “1 qershori” për të prezantuar projekt idetë e rikonstruksionit total të këtyre dy godinave arsimore.

Në dy postime të ndryshme, bashkia e Durrësit njofton se të gjitha vërejtjet, shqetësimet dhe propozimet e ngritura nga stafi pedagogjik apo këshilli i prindërve do të merren parasysh nga studio projektuese për projektin përfundimtar.

Kur kanë kaluar 8 muaj nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit, në këto dy institucione arsimore ende nuk ka nisur rikonstruksioni, ndërsa viti shkollor starton pas rreth një muaji e gjysëm.

Postimet e bashkisë Durrës:

Në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” është zhvilluar prezantimi i vleresimit teknik si dhe dy variante të projekt idesë, konceptuar dhe realizuar nga “Arkimade”, Studio për rikonstruksionin total që do të kryhet në këtë shkollë dhe ku morën pjesë përfaqësues nga bashkia, kryetari i këshillit të prindërve, prindër, nxënës të shkollës si dhe përfaqësues nga UNDP-ja.
Të gjithë vërejtjet, shqetësimet si dhe propozimet e ngritura në këtë dëgjesë do të merren parasysh nga studioja e projektimit për projektin përfundimtar. 

Kopshti 1 Qershori do të rikonstruktohet tërësisht

Për të diskutuar rreth projektit të rikonstruksionit është zhvilluar një dëgjesë publike në ambientet e këtij kopshti ku merrnin pjesë nënkryetari i Bashkisë, Florian Tahiri, përfaqësues të Drejtorisë së Urbanistikës, Drejtorisë Arsimore, drejtoresha dhe edukatoret e kopshtit, prindër, përfaqësues të UNDP-së, kryetari i këshillit të prindërve etj.

Gjatë prezantimit si dhe më pas, të pranishmit ndanë me projektuesit problematikat që kishin në lidhje me çështje të caktuara të cilat do të reflektohen në projektin e rikonstruksionit.