Beteja tregtare, turku “malazez” i Tivarit ia “ngec” turkut “shqiptar” të Durrësit

DURRËS, 17 shkurt 2014 –  Ndonëse në portin detar vëllimi i punës me mallrat e përgjithshme gjatë 8-mujorit 2014 është më i madh se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bie në sy që ka një rënie të dukshëm të trafikut të kontejnerëve.

Sipas statistikave zyrtare 8-mujorit 2014 të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të ndërmarrjes shtetërore të Autoritetit Portual Durrës (APD), në terminalin e kontejnerëve janë përpunuar 69 683 njësi kontejnerike (TEU) nga 72 497 të tilla në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një diferencë prej 2 814 më pak.

Vërehet se shumë kompani lundrimi të huaja, por edhe shqiptare kanë devijuar fluksin e kontejnerëve transit për në Kosovë e më gjerë, duke ia hequr portit të Durrësit dhe duke e drejtuar në terminalet e Tivarit dhe Patrasit.

Kjo për shkak të vonesave të theksuara në ngarkim-shkarkim në  Durres Container Terminal (koncesioni i Grupit turk “Kurum”).

Sikurse është bërë e ditur, DCT-ja ende nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet me APD-në për vendosjen e dy vinçave, që i ka sjellë pa miratimin e autoriteteve shqiptare, njëi ndodhet në DCT dhe tjetri në kalatën lindore.

Zyrtarisht, sipas QKR-së,  Kurum Shipping ka 10 200 aksione, paketën kontrolluese, prej 51 për qind të DCT-së;  kompania më e madhe e menaxhimit të porteve në Turqi  Global Liman Isletmeleri ka 200 aksione, ose 1 për qind të koncesionit; ndërkaq kompania malteze Mariner ka9 600 aksione ose 48 për qind të aksioneve, por që nuk merret fare me  Kurum-in në Durrës, pasi e ka mendjen në  Baltic Container Terminal (Riga, Letoni) dhe në  Terminal Intermodale Venezia të Italisë.

Mund të spekulohet se “fitilat” Kurum-it po ia fut ortaku 1-përqindësh, Global Liman Isletmeleri (Global Ports Holdings), i cili ka blerë 62 për qind të aksioneve të portit malazez të Tivarit.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Global Liman Isletmeleri Saygın Narin, porti i Tivarit përpunonte 35 000-40 000 kontejnerë në një sipërfaqe prej 400 000-450 000 metra katrorë, megjithatë kapaciteti mund të zgjerohet deri në 1 milion TEU, si rezultat i disa punimeve infrastrukturore që do të kryhen.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/