Ka shkuar në 803 numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë pasi gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 8 raste të reja, një prej të cilëve në Durrës.
Ministria bën me dije se 5 raste janë shënuar në Tiranë, që tashmë ka sërish numrin më të madh të të infektuarve dhe 2 në Elbasan.
NJOFTIMI I PLOTË
COVID-19, Ministria e Shëndetësisë: 8 raste të reja në 24 orët e fundit, java me nivelin më të ulët të rasteve pozitive që nga fillimi i epidemisë
Situata epidemiologjike në vend aktualisht paraqitet e qëndrueshme dhe me një nivel të ulet të pozitivitetit krahasuar me numrin total te testimeve.
Gjatë javës së epidemisë, përqindja e pozitivitetit arriti në 4.3 %, vlera më e ulët nga fillimi i epidemisë, që tregon funkionimin e masave të marra, identifikimin dhe gjurmimin epidemiologjik të rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre në kohë.
Nga 140 testimet e kryera gjatë 24 orëve të fundit për persona të dyshuar me COVID-19, janë vetëm 8 raste pozitive, përkatësisht në Tiranë 5 raste, në Elbasan 2 raste dhe në Durrës 1 rast. Për të gjitha rastet vazhdon hetimi epidemiologjik në terren.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 803 qytetarë dhe aktualisht 68 % e tyre janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 229 persona aktivë me COVID19.
Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.
Siç jeni ne dijeni, nga sot, ka nisur një lehtësim i mëtejshem i masave shtrënguese, me shtimin e zonave të gjelbërta, lejimin e shërbimit taksi ndërqytetas me dy pasagjerë të së njëjtës familje si dhe lehtësimi për të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe, të cilet do të vetëkarantinohen në banesë.
Duke nisur nga ky lehtësim i masave është shumë e rëndësishme të rritet kujdesi vetjak, të respektohen rregullat e reja, ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.
Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.
Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
- Tiranë 93
- Krujë 87
- Shkodër 17
- Kurbin 14
- Kukës 5
- Elbasan 4
- Mirditë 2
- Berat 2
- Durrës 1
- Korçë 1
- Lezhë 1
- Lushnje 1
- Mat 1





