DURRES, 14 qershor 2013 – Ditën e djeshme policia e Durrësit ka mbuluar me shërbim policor në funksion të garantimit të rendit e sigurisë publike, 8 aktivitete elektorale të zhvilluara nga subjektet në kuadër të fushatës për zgjedhjet Parlamentare Qershor 2013.
Sipas policisë, nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës u morën masa në drejtim të garantimit të rendit e qetësisë publike gjatë zhvillimit të 8 takimeve elektorale të subjekteve të ndryshme politike. Në këto aktivitete u angazhuan me detyrë 47 punonjës dhe u vunë ne dispozicion 14 automjete Policie.Takimet elektorale u zhvilluan normalisht, pa shënuar probleme të rendit.
Po kështu, Njësia Rajonale e Policisë Rrugore Durrës, në vazhdimësi ka planifikuar e marrë masa në drejtim të garantimit të normalitetit e lirshmërisë në trafik përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, por njëkohësisht edhe ruajtjes së parametrave të sigurisë rrugore.
Kështu, planizimi i shërbimeve krahas të tjerave është bërë edhe në vartësi të zhvillimit të aktiviteteve elektorale, duke i dhënë prioritet fluiditetit të trafikut në segmentet rrugore në afërsi të vendeve të zhvillimit të këtyre takimeve. Në vëmendje të kësaj strukture kanë vazhduar të mbeten akset kryesore ndërqytetase, pjesët më të mundshme për të krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve si segmentet hyrëse apo dalëse të qyteteve, sheshet, bulevardet, etj.
Vlen për t'u përmendur se në sajë të intensifikimit të masave të marra, parametrat e sigurisë rrugore në territorin kompetencë e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Durrës përgjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore kanë qenë të kënaqshëm.





