Sot mbushen 8 vjet nga shpërthimi i tmerrshëm në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.
Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi qindra të plagosur, dëmtoi dhjetëra banesa, disa prej të cilave u shkatërruan plotësisht. Një krater i madh u hap në vendin e shpërthimit, ndërsa tronditja u ndje disa kilometra larg.
Por ndërkohë që vitet ikën, dhe do vijojnë të ikin, plagët që la krateri i shpërthimit të Gërdecit nuk mund të harrohen nga familjarët e 26 viktimave. Sot, ata kërkojnë ende drejtësi për të afërmit e tyre duke akuzuar Gjykatat se lanë të lirë të gjithë të akuzuarit duke mos dënuar asnjë prej përgjegjësve kryesorë të tragjedisë.
Çdo përvjetor familjarët e viktimave vendosin lule në memorialin në hyrje të ish-fabrikës së demontimit të municioneve e ndërtuar nga biznesmeni Mihal Delijorgji, me miratimin e krerëve më të lartë të qeverisë së asaj kohe.





