SHKODER, 11 mars 2013– 80 banesa rrezikohen nga gërryerja e lumit Kir në fshatin Bardhaj në komunën Rrethina në Shkodër, ku situata paraqitet alarmante për shkak të vërshimit të lumit.

Gjatë ditëve të fundit në këtë fshat janë gërryer afro 10 hektarë tokë ndërsa banorët e kësaj zone shprehen të shqetësuar pasi nëse do të ketë vijim të reshjeve, banesat e tyre do përpihen nga vërshimi i lumit Kir.

Prej kohësh specialistët kanë dhënë alarmin për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Kir, pasi në të kundërt, një çarje e saj do të sillte pasoja të paparashikueshme.

Ndërkohe që prej datës 8 mars banorët bëjnë roje gjatë natës nga frika e daljes së lumit Kir nga shtrati i tij dhe gërryerja e tokës pranë banesave duke i rrezikuar nga shembja.

Sipas banorëve askush nga autoritetet përkatëse nuk i është përgjigjur apelit të tyre për ndihmë.