5shtator 2015– Nuri Sherri pas disa muajsh do të festojë 80-vjetorin e lindjes, por ai pohon se nuk do të heqë dorë nga kuzhina. Bashkë me të shoqen, Bardhën, edhe ajo moshatare, ai shërben në restorantin e tij në një nga rrugët kryesore të qytetit piktoresk të Pogradecit. Profesionin e nderuar e ka nisur në moshën 14-vjeçare, kur u zhvendos nga malësia e Mokrës drejt kantiereve të ndërtimit.

Megjithëse nuk i mungojnë të ardhurat financiare, xha Nuriu, siç e thërrasin edhe klientët e shumtë, ka vendosur të mos jetojë si pensionist. “Sa të kem fuqi do të punoj në kuzhinë, pasi këtu e kam kaluar të gjithë jetën time”, thotë Nuri Sherri, i cili në aventurën e tij ka tërhequr edhe bashkëshorten, Bardhën.

Gjellët e xha Nuriut janë kryesisht ato të Shqipërisë së Mesme dhe gatuhen me produkte nga më të mirat, që ai i përzgjedh vetë. Ndërsa klientela e tij sa vjen dhe shtohet, Nuri Sherri e ndjen se do të mbetet gjatë mes enëve të kuzhinës së tij. Një shembull i mrekullueshëm për të rinjtë që duan të ndjekin pasionin e tyre.

/portali DurresLajm/