25 qershor 2015 – Rreth 800 persona kanë vdekur në Pakistan, për shkak të temperaturave shumë të larta në vend, që kanë kaluar 45 gradë celcius.
Vapa e tmerrshme ka detyruar autoritetet të shpallin ditë pushimi në vazhdim për të inkurajuar njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpi.
Gjendja është përkeqësuar edhe nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në vend, duke nxjerrë jashtë funksionimit ventiluesit dhe kondicionerët, ndërsa spitalet janë mbipopulluar me pothuajse 1000 pacientë të rinj në ditë.
Për shkak të muajit të Ramazanit, pjesa dërrmuese e popullsisë nuk ushqehet apo nuk konsumon lëngje gjatë ditës, ndërsa klerikët myslimanë në vend kanë bërë thirrje që personat që rrezikojnë shëndetin nga vapa të ndërpresin agjërimin.
Disa javë më parë, vala e të nxehtit vrastar përshkoi edhe Indinë, ndërsa numri i viktimave atje arriti në mbi 1000.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/