Të paktën 81 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, bëri të ditur të shtunën Ministria e Shëndetësisë.
Agjencia, e cila kontrollohet nga grupi militant palestinez Hamas, tha se edhe 422 palestinezë të tjerë janë plagosur nga sulmet e fundit.
Shifrat më të fundit e çojnë në 56 mijë e 412 numrin e të vrarëve që nga fillimi i luftës. Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve dhe të dhënat e saj nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ato bazohen në numrin e trupave të sjella nga të afërmit në spitale, të cilat aktualisht po operojnë nën kufizime të rënda.
Lufta në Gaza u shkaktua nga sulmi i Hamasit dhe grupeve të tjera islamiste ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Rreth 1 mijë e 200 persona u vranë dhe mbi 250 të tjerë u morën peng në Rripin e Gazës.
Që nga ajo kohë, ushtria izraelite ka qenë duke luftuar Hamasin në Gaza, me qëllimin e deklaruar për ta shkatërruar këtë grup.
Në këtë proces, një pjesë e madhe e Gazës është shkatërruar, ndërsa kushtet humanitare për 2 milionë banorët e këtij territori të izoluar janë katastrofike.





