Durrës, 6 prill 2014– Prestigjozja amerikane “ Fox Neës ” njofton se policia kroate sekuestroi 818 kilogramë kanabis të transportuar me një peshkarexhë të nisur nga porti shqiptar i Durrësit. Vlera e drogës shkonte në 1,3 milion euro dhe ajo ishte e ambalazhuar në 700 pako për lehtësi transporti dhe shpërndarje. Kjo është sasia më e madhe e kanabisit e kapur për këtë vit nga policia kroate. Sasia rekord e drogës u sekuestrua në kuadër të operacionit “Nikita”. Në operacion morën pjesë edhe forcat speciale të quajtura USKOK. Anija u kap afër portit kroat të Shibenikut, në gjirin e Primostenit.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan 2 shtetas boshnjakë dhe 8 shtetas kroatë. Pronari i peshkarexhës së ndaluar është një shtetas kroat. Ndërkohë mësohet se në këtë trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike ishte i përfshirë edhe një shtetas shqiptar, i cili ka mundur t’u shpëtojë prangave të policisë kroate. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.Shqiptari është pjesë e rrjetit kriminal dhe shërbente për lidhjen e kroato-boshnjakëve me tregun shqiptar të kanabisit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





