Kylian Mbappe po gdhend gjithnjë e më shumë emrin në librin e historisë së Realit të Madridit. Sulmuesi francez që nga momenti i transferimit të tij në kryeqytetin spanjoll ka shënuar 82 gola në 90 ndeshje të zhvilluara me fanelën e Los Blancos. Vetëm 2 futbollistë kanë bërë më mirë se francezi në historinë e klubit merenges; Ferenc Puskas dhe Cristiano Ronaldo. Hungarezi, një goleador i jashtëzakonshëm, ka bërë praktikisht dy karriera, një me Hungarinë me 383 gola në 366 ndeshje dhe tjetra me Realin e Madridit me 242 gola në 262 ndeshje. Ndërsa portugezi shënoi 450 gola në 9 sezonet e tij me skuadrën madrilene.

Duke u kthyer tek bilanci i 90 ndeshjeve të para, Puskas shënoi 96 gola, kurse Ronaldo 86. Por Mbappe nuk është larg dhe është në vendin e tretë duke lënë pas legjenda të tjera të Realit të Madridit si Di Stéfano (73), Hugo Sánchez (63), Van Nistelrooy (62) apo Ronaldo Fenomeni (61). Në këtë sezon, Mbappe është në kuotën e 38 golave, 23 nga të cilat në La Liga që e lejon atë të jetë në garë me Harry Kane dhe Haaland për Këpucën e Arta.

Francezi ka 46 pikë deri në këtë moment, 2 më pak se Kane dhe 4 më pak se gjigandi norvegjez i Manchester City. Duke parë bilancin e përgjithshëm, Mbappe ka 38 gola dhe 5 asiste, britaniku i Bayernit ka të njëjtën kuotë golash dhe asistesh, por me 2 ndeshje më shumë, ndërsa Haaland është me 28 gola në 36 ndeshje që ka zhvilluar këtë sezon. Kur Mbappe u transferua në Bernabeu, në verën e vitit 2024, Vinicius kishte 84 gola të shënuar me Realin e Madridit që nga 2018. Në 1 vit e gjysmë, francezi ka reduktuar diferencën duke shënuar 52 gola më shumë se braziliani(82 me 30).