KORCE, 4 korrik 2013 – “Po bëhen tre vjet nga vrasja e djalit tim dhe ende nuk janë zbuluar autorët e krimit. Drejtësia është indiferente, pasi edhe pse ka kaluar një kohë kaq e gjatë, nuk ka mundur të zbardhë ngjarjen. Nuk dua të vdes pa ditur se cilët ishin kriminelët që i morën jetën tim biri". Kështu u shpreh dje Fize Nica, nëna e 42- vjeçarit Arben Nica, i cili u ekzekutua me automatik më 13 korrik të vitit 2010 në fshatin Pojan të rrethit të Korçës. Në këtë ngjarje të mbetur mister dhe sot e kësaj dite mbeti i vrarë edhe pronari i dyqanit të fshatit, Altin Liçolli, baba i tre fëmijëve. 84-vjeçarja, mes lotëve që bien pa reshtur dhe dhimbjes së madhe, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" pohon se në çdo moment jeton me shpresën se do të mësojë diçka rreth vrasjes së djalit të saj. Dhimbja për të moshuarën bëhet edhe më e madhe, pasi nipi i saj, tashmë 12-vjeçar Xh.Nica, nga frika e një tjetër vrasjeje në familje është larguar në Durrës për të jetuar me njerëzit e nënës së tij. Ndërkohë që kjo e fundit kishte ndërruar jetë 1 vit para vrasjes së bashkëshortit nga një sëmundje e pashërueshme. 
 

Janë mbushur afro tre vjet nga vrasja e djalit tuaj, ndërkohë ju ende kërkoni zbardhjen e ngjarjes. Përse? 

Se po zvarriten hetimet. Kanë kaluar tre vjet dhe nuk ka një autor përgjegjës për këtë ngjarje, ndërkohë që po më "çahet" shpirti. Dua të di të vërtetën, se ma vranë djalin kot. Ku është drejtësia? Pse nuk ka bërë asgjë për një kohë kaq të gjatë? Jam në prag të vdekjes se jam plakë, por dua të mësoj të vërtetën dhe nuk do rresht së kërkuari këtë të vërtetë edhe sikur të jem buzë varrit. 
 

Çfarë ju kanë thënë deri tani? 

Po punojmë. Vetëm kaq na thuhet edhe në polici, edhe në prokurori. Por kaq nuk mjafton për zemrën e një nëne. Ngrysem dhe gdhihem me të vetmen shpresë, se ndoshta do të mësoj të vërtetën dhe do të vihet në pranga autori që vrau djalin tim. Jam duke mbajtur peshë gjakun e djalit, ndaj dua të mësoj të vërtetën sido qoftë ajo. Por nuk di ku ta kërkoj, se këtu nuk ka shtet. Këtu nuk funksionon asgjë. Në këtë fshat ka pasur edhe krime të tjera, dhe autorët janë gjendur brenda vitit, por kësaj here jo. Të gjithë heshtin, vetëm një Zot e di se çfarë fshihet pas kësaj heshtjeje "varri". 
 

Po djali i Arbenit ku ndodhet aktualisht? 

Kishte frikë, ndoshta nga një tjetër vrasje dhe u largua për tek njerëzit e nënës së tij. Unë vetëm atë kisha që më kujtonte djalin, por dhe ai më iku. Kishte frikë të jetonte këtu, në një kohë që autori është ende i lirë. Ai mbeti jetim me vrasjen e të atit, pasi vetëm një vit më parë i kishte vdekur e ëma nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa tani mbeti vetëm. Kjo më dhëmb më shumë tani. 
 

Po me familjen tjetër të viktimës keni marrëdhënie të mira? 

Kemi pasur dhe kemi marrëdhënie të mira. Edhe ata kërkojnë të zbardhet e vërteta. Edhe Altin Liçolli la tre fëmijë në rrugë të madhe, por askush nuk përgjigjet. Kjo po na tret të gjallë dhe është më e keqe se vdekja. 
 

Çfarë kërkoni aktualisht? 

Të gjendet autori që të vdes e qetë. Ne nuk hakmerremi. Do e pranojmë dhe e kemi pranuar fatin tonë, por vetëm duam të dimë të vërtetën. I lutem policisë, prokurorisë dhe organeve të tjera të drejtësisë të zbardhin sa më parë këtë ngjarje. Mjaft me heshtje, ka ardhur koha që drejtësia të flasë dhe të thotë të vërtetën, cilado qoftë ajo. Dua të gjendet vrasësi i djalit tim.