Quhet Beqir Kila dhe është banor i lagjes nr.17 në Durrës. Prej të paktën 2 vitesh, 85-vjeçari kërkon nëpër kazanët e mbeturinave për të gjetur hekur apo tela bakri, që mund t’i shesë, për të siguruar sadopak të ardhura shtesë.
Vuan nga një kompleks sëmundjesh dhe rrezikon që të marrë të tjera, ndërsa gërmon nëpër kazanë, por është i vendosur të vijojë këtë “punë”, sepse i duhet të mbijetojë dhe të përballojë shpenzimet.
“I trembem sëmundjeve, por çfarë të bëj, duhet të jetoj. Jetohet kështu?”,- thotë ai
85-vjeçari deklaron për “DurrësLajm”, se pensioni në vlerën 100 mijë lekë të vjetra nuk i del për të blerë ushqimet dhe ilaçet dhe detyrohet thuajse çdo ditë të kontrollojë nëpër kazanët e mbeturinave të qytetit.
Me patericën në dorë dhe çantën që e tërheq me vështirësi kudo ku shkon nëpër qytet, Kila është dëshmi e kushteve të vështira ekonomike që përjetojnë një pjesë e pensionistëve shqiptarë, të cilët për shkak të pensioneve të vogla janë në kushtet e mbijetesës.
Ndiqni më poshtë intervistën e tij.





