86% e kredisë bankare është e mbuluar me kolateral. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar shkalla e mbulimit të kredisë me kolateral u rrit më tej nga niveli prej 85% i vitit 2021. Lloji më i përdorur i kolateralit nga bankat vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme.
Pronat mbulojnë 60% të portofolit të kredisë në valutë të huaj dhe 52% të portofolit të kredisë në lekë. Përdorimi i pasurive të paluajtshme si kolateral është më i lartë te individët, ku pronat garantojnë 72% të kredive në valutë dhe 55% të kredive në lekë. Për bizneset, pasuritë e paluajtshme mbulojnë 70% të kredisë në valutë dhe 48% të kredisë në lekë.
Shkalla e lartë e garantimit të kredive me kolateral në pasuri të paluajtshme e bën sektorin bankar të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregun e pronave. Një rënie e mundshme e çmimeve të pronave do të krijonte rreziqe të shtuara për shëndetin e sektorit bankar në vend.
Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka përgatitur qysh vitin e kaluar projektrregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi huadhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme”. Sipas Bankës së Shqipërisë, ajo ka si qëllim të përmirësojë të dhënat që do të mblidhen nga bankat për ekspozimin e tyre në tregun e pasurive të paluajtshme.
Për shembull, do të mblidhen të dhëna jo vetëm për ekspozimin e tyre tek banesat, por edhe te pasuritë e paluajtshme tregtare; do të kërkohen tregues që lidhen jo vetëm me kreditë e reja por edhe për ato të stokut ekzistues; do të mblidhet informacion mbi të dhënat që banka merr nga huamarrësi lidhur me ngarkesën e tij me borxh etj. Paralelisht, projekti i mundëson Bankës së Shqipërisë që të përdorë disa prej treguesve të standardeve të huadhënies, si instrumente të politikës makroprudenciale, për të kontrolluar ecurinë e ekspozimit të bankave ndaj kredidhënies në tregun e pasurive të paluajtshme, për ato segmentet që vlerësohen me rrezik më të lartë.
Llojet e tjera të kolateralit mbulojnë 33% të kredisë në valutë dhe 27% të kredisë bankare në lekë. Këtu përfshihen edhe një pjesë relativisht e vogël e kredisë që mbulohen me kolateral në formën e parasë cash, që përbën edhe llojin më cilësor të kolateralit për bankat. Kolaterali në cash mbulon 4% të kredisë në valutë dhe 2% të kredisë në lekë.
Ndërkohë, pjesa tjetër e kredisë së kolateralizuar është e mbuluar me lloje të tjera kolaterali, ku përfshihen makineritë e pajisjet, inventarët ose llojet e tjera të kolateralit financiar përveç parasë cash, si për shembull, aksione të shoqërive tregtare apo portofole kredie, në rastin e kredive të dhëna për institucionet financiare, etj.
Ndërkohë, kredia e pambuluar me kolateral në fund të vitit kaluar përbënte 14% të totalit të portofolit të kredisë së sektorit bankar, në rënie nga niveli prej 15% i një viti më parë.
Kredia e pakolateralizuar përbën vetëm 7% të kredisë në valutë, por ka një peshë më të madhe te kredia në lekë, me 20%. Kjo ndodh kryesisht sepse kredia konsumatore e individëve, që përbën edhe pjesën më të madhe të kredisë së pambuluar me kolateral, jepet në masën dërrmuese në monedhën vendase. Tek individët kredia e pakolateralizuar përbën 38% të kredisë në lekë dhe 15% të kredisë në valutë, ndërsa tek bizneset ajo ka një peshë më të vogël, përkatësisht 4% për kredinë në valutë dhe 2% për kredinë në lekë.