Synohet rehabilitimi i të gjithë rrjetit të kanalizimeve dhe evitimi i ndotjes së detit
Brenda vitit 2012 të gjitha ujërat e zeza do të përfundojnë në landfildin e Shën Vlashit
Brenda shtatorit të vitit 2012, nw tw gjithw vijwn bregdetare tw Durrësit do të ketë përfunduar sistemimi dhe disiplinimi i ujërave të zeza. Kjo është bërë e mundur në sajw të investimit të madh të nisur disa muaj më parë dhe që vijon të shtrihet në të gjithë Durrësin. Bashkimi Evropian ka akorduar 9.8 milion euro për të finalizuar projektin në dy lote. Për shkak të problematikës së mbartur, Drejtoria e përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve ka klasifikuar si të rëndësishëm investimin në projektin e përpunimit në impiantin modern të ujërave të zeza për zonën turistike në Durrës dhe në Lezhë. Përfundimi i impiantit modern në këmbët e kodrës së Shën Vlashit ka bërë të mundur nisjen e ndërtimit të kanalizimeve të ujërave të zeza në të gjithë gjatësinë e bregdetit. Projekti ka nisur të zbatohet në disa drejtime duke bërë që në thuajse të gjitha anët e Durrësit të hapen kantiere të tilla. Kështu tubacione të dimensioneve të ndryshme që variojnë nga 80 mm deri në 700 mm janë shtrirë nga Përroi i Agait deri tek Shkëmbi i Kavajës. Ndërkohë një tjetër segment i rrjetit të ujërave të zeza nis tek Plepat dhe shkon drejt Urës së Dajlanit. Forca dhe mjete të shumta pune janë përqendruar në këtë projekt të rëndësishëm. Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza, Përroi i Agait – Ura e Dajlanit, ka nisur së zbatuari në mars të këtij viti për t’u përmbyllur në shtator të vitit 2012. Inxhinierët e zbatimit të projektit kanë thënë se në përfundim të të gjitha fazave, ujërat e zeza do të shkarkohen të gjitha në landfildin e Shën Vlashit. Në këtë impiant, uji pasi t’i nënshtrohet proçesit të pastrimit nuk do të ketë asnjë ngarkesë mikrobiologjike. Investimi është klasifikuar si shumë i rëndësishëm për mjedisin në brezin e rërës e në det si dhe në lagjet e qytetit të Durrësit. Pjesa më e madhe e bizneseve dhe objekteve të akomodimit për pushues e turistë kanë pasur probleme me ujërat e zeza, pasi në mungesë të një kolektori të rregullt dhe funksional kanë ndërtuar gropa septike. Por edhe në këtë rast këto gropa nuk kanë zgjidhur as kërkesat më minimale të higjenës. Pronarët e lokaleve, bareve, hoteleve e apartamenteve i kanë derdhur në fshehtësi dhe në orët e pas mesit të natës ujërat e zeza në det apo në rrugë e kanale anësore duke ndotur detin dhe mjedisin. I vetmi kolektor në Plazh ka dalë jashtë funksionit, pasi mbi të janë bërë disa ndërhyrje nga ndërtuesit e godinave e objekteve. Në të tilla rrethana shtrimi i një rrjeti të ri dhe mbledhja e ujërave të zeza sidomos në zonën turistike të Golemit, Pishat e Buta, Mali i Robit, Shkëmbi i Kavajës e në Plazh është bërë domosdoshmëri dhe kërkesë emergjente. Projekti sipas specialistëve po ecën me ritmet e duhura dhe shumë shpejt do të shfaqen rezultatet e para. Impianti në Shën Vlash ka përfunduar dhe tani e gjithë puna është përqendruar në pjesën urbane të Durrësit. Tubacionet përshkojnë segmente të rëndësishme si në Plazh edhe në Durrës për të përfunduar pranë mbikalimit të Shkozetit në anë të ish-kënetës dhe që aty për në ish-vaskat e peshkimit. Investimi i mësipërm do t’i japë fund ndotjes së zonës së Plazhit, Shkozetit dhe ish-kënetës nga kanalet e thellë e të gjatë. Me të përfunduar projekti, kanalet që sot janë tërësisht të hapura apo edhe të tjera gjysmë të mbyllura nuk do të jenë më si të tillë. Projekti ka parashikuar t’u japë fund problemeve të akumuluara në vite. Kështu të gjitha kanalet që sot janë të pranishme para portave dhe banesave të qytetarëve në ish-kënetë do të mbulohen një nga një, pasi uji dhe fekale nuk do të lejohen të kalojnë në natyrë. Në Plazh, Shkozet dhe lagjet e brendshme të qytetit të Durrësit, çështja e amortizimit të rrjetit të ujërave të zeza ka sjellë pasoja jo të vogla. Përzierja në jo pak rasteve i ujërave të zeza me sistemin e ujit të pishëm ka nxitur autoritetet kryesisht ato të higjenës dhe epidemiologjisë të kërkojnë zgjidhje afatgjata. Një e tillë është edhe ndërhyrja në disiplinimin përfundimtar të ujërave të zeza, të cilat brenda vitit 2012 do të përfundojnë në landfildin e Shën Vlashit. Investimi prej 9.8 milion euro do të shërbejë për të ndërtuar një rrjet të ri dhe efikas të sistemit të kanalizimeve. Disa stacione pompimi janë ndërtuar në gjatësinë nga Ura e Dajlanit deri në Shën Vlash, ato do të mbledhin ujërat e zeza për t’i orientuar më pas drejt stacionit të pastrimit.
Impianti
Impianti i ujërave të zeza është ndërtuar në periferi të Durrësit në zonën e Shën Vlashit, rreth 4-5 kilometër në veri të qytetit. Ky impiant është ndërtuar në zonën e ish-vaskave të peshkimit të cilat deri në vitet 1990 kanë shërbyer si rezervat peshku. Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë ofruar 8.5 milion euro për zbatimin e projektit të rëndësishëm që do t’i japë zgjidhje afatgjatë ndotjes së detit nga ujërat e zeza. Në qershor të vitit 2007 në ish-vaskat e peshkut nën kodrën e Shën Vlashit ka nisur zbatimi i projektit për ndërtimin e impiantit të madh të filtrimit të ujërave të zeza dhe derdhjen në det të ujit të pastër. Shërbimet e konsulencës janë realizuar me anë të fondeve të Bankës së Luksenburgut, ndërsa kompania italiane “Putognano e Pigli” ka marrë përsipër lidhjen e kontratës për të finalizuar projektin e rëndësishëm. Durrësi ka shfaqur pas viteve ‘90 probleme serioze lidhur me nivelin e lartë të ndotjes së ujit të detit nga impiane, kombinate, fabrika, punishte, biznese dhe prurje që përfundojnë në veri të Durrësit, disa kilometra larg qendrës. Impianti është vendosur në rrëzë të kodrës së Shën Vlashit, afro 5 km nga qendra e Durrësit në zonën e moçalishtes. Ligatina për shumë vite ka shërbyer si rezervat peshku dhe pas shpërbërjes së ndërmarrjes e gjithë sipërfaqja është vënë nën administrim të impiantit që ka teknologji të lartë dhe nivel e standarte të kohës për nivelin e pastrimit. Qeveria shqiptare ka investuar 42 milion euro në Shkodër, Lezhë, Durrës, Pogradec për të ndërtuar impiante të ujërave të zeza, ndërkohë që kanë përfunduar punimet për impiantin e pastrimit të ujërave të zeza në Kavajë. 16.2 milion euro është investuar vetëm në vitin 2010 për impiante të tilla dhe kjo shumë ka zgjidhur në mënyrë të konsideruar çështjen e higjenës së detit nga ndotja e shkaktuar nga ujërat e zeza dhe mbetjet urbane. Zona tek Kovaleshenca në Plepa, pjesa e bregdetit nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Përroi i Agait, vendi ku Ishmi dhe Erzeni derdhen në det etj. janë pikat më të nxehta të ndotjes së detit nga ujrat e zeza dhe mbeturinat e ndryshme. Impianti tashmë është në pritje të kyçjes së proçesit për të sterilizuar ujin që thithet nga pompat në pika të ndryshme për të përshkuar më pas të gjithë gjatësinë nga pjesa jugore e qytetit të Durrësit deri në Shën Vlash.
Ndotja
Ndotja është çështje shumë serioze në Durrës. Ndërmarrja e Pastrimit dhe Gjelbërimit si dhe bashkia janë gjobitur nga Agjencia e Mjedisit me nga 1 milion dhe 2 milionë lekë për mungesën e higjienës në periferi të lagjeve të qytetit turistik. Plazhi i Durrësit në sezonin e verës ka më shumë se 250 mijë pushues, ndërsa kolektori i ujërave të zeza me kapacitetin ekzistues e ka të pamundur të përballojë këtë fluks. Kolektori kryesor i Plazhit është ndërtuar në vitin 1975-1976 dhe është llogaritur për t’iu përgjigjur kërkesave për 5 mijë banorë dhe jo më shumë se 3 mijë pushues. Por vetëm zona e plazhit që nis nga Ura e Dajlanit e përfundon në Plepa ka më shumë se 6000 apartamente me më shumë se 35 mijë banorë, ndërsa në periudhën 15 maj-30 gusht popullsia këtu 6-7 fishohet. Specialistët e mjedisit thonë se ndotja bakteriale është 3-4 herë më e lartë se limitet e lejuara. Marrja e masave një vit më parë, sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Durrës, Vasil Ziu, ka përmirësuar situatën tek Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit e në Golem, por nuk është zgjidhur përfundimisht disiplinimi i ujërave të zeza. Vëzhgimet në terren kanë evidentuar deri në saktësi lokalet dhe objektet të cilat janë edhe pikat më të nxehta të ndotura. Mendohet se vetëm 10 përqind e hoteleve që gjenden buzë detit i evadojnë mbetjet e ujërave të zeza duke i derdhur në vende të ndryshme. Pjesa tjetër e tyre funksionojnë me gropa septike, por zona e rërës ka një karakteristikë që uji i këtyre gropave filtrohet dhe shkon në det. Në Durrës, ndotja e shkaktuar nga mbeturinat urbane, mbeturinat kimike, mbetjet spitalore, inertet dhe ujërat e zeza e kanë vënë qytetin bregdetar në një pozicion aspak të këndshëm për turizëm. Hotele, restorante, fast food-e, pallate, bare, bufe, motele dhe banesa për akomodimin e pushuesve në gjithë gjatësinë nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit kanë shfaqur probleme të mëdha me mënyrën e menaxhimit të ujërave të zeza.
Gjobat
Inspektariati i mjedisit ka gjobitur herë pas here, sipas rasteve dhe kryesisht në sezonin e verës disa njësi, institucione dhe subjekte lidhur me ndotjen urbane, ndotjen akustike dhe ujërat e zeza të cilat derdhen në det. Kështu bashkia e Durrësit është gjobitur me 1 milion lekë. Po kaq është penalizuar ndërmarrja e pastrimit në Plazh, komuna Ishëm, Rashbulli, Xhafzotaj e Bubq si dhe subjekti NATO sh.p.k. Pas tyre vjen ndëshkimi për ndotjen akustike me nga 50 mijë lekë për subjektet Eliza, Çollaku, Kosova Live, Parajsa, Bukuria e Durrësit, Tropikal, Romano, Sero Star, Beatiful, Prishtina. Së bashku me ta janë gjobitur edhe anijet “Angel” me 300 mijë lekë dhe “Renvi-IV” me 500 mijë lekë. Inspektoriati i mjedisit u ka vënë gjoba edhe disa subjekteve për derdhjen e ujërave të zeza në det. Janë ndëshkuar me gjobë kompleksi “Gora”, komuna Golem, “Vela”, “Malvina”, “Mac Albania”, “Xixa”, “Akileda”, “Arel”, “Alibi”, “Zanzibar”, “Benilva” dhe “Vila Belvedere”.