Nga Bledar Kurti
Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit shënohet çdo vit më 9 dhjetor. Kjo ditë u përcaktua nga Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit më 31 tetor 2003 me qëllimin për të rritur ndërgjegjësimin e publikut kundër korrupsionit.
E gjithë historia njerëzore ka qenë e njollosur me korrupsion, në të gjitha format veta. Në çdo epokë, kulturë e shtet ka patur një a më shumë Judë që shiti shpirtin për 30 monedha argjendi, por në disa vende, ku hyn edhe Shqipëria, korrupsioni ka qenë e vazhdon të konsiderohet si normë shoqërore, madje, fatkeqësisht edhe virtyt.
Është folur shumë për korrupsionin, herë duke drejtuar gishtin për nga pushtetarët e të gjitha partive që kanë qeverisur vendin, e herë te qytetarët që i votuan ata pushtetarë, ky zig-zag faji do vazhdojë pafundësisht derisa gjithësecili prej nesh do ndalë e do e drejtojë gishtin për nga vetja, e jo duke i bërë vetes pyetjet e rëndomta e sipërfaqësore, si: A po abuzoj unë me pushtetin? A po përfitoj unë nga detyra? A po vjedh? A po siguroj përfitime të paligjshme? Por, pyetje që ndryshe nga këto (të cilat në fakt janë shkelje penale e ndëshkohen me burg, kësisoj nuk kanë shumë lidhje me ndërgjegjen tënde, pasi e ndien apo se ndien ti veten të pakorruptuar, ligji të ndëshkon e të kalb në burg) të cilat janë përgjegjësi tërësisht personale e jotja.
Pyetje si: A jam unë indiferent? A ndikon indiferentizmi im në rritjen e korrupsionit? Unë si i ri apo si intelektual e kam për detyrë shoqërore ta luftoj korrupsionin, ndaj a po e bëj një gjë të tillë? A jetoj unë me integritet? A përçoj unë shembuj vlerash te të tjerët? A ndikoj unë te shoqëria që ajo të jetë më
transparente dhe më e zhvilluar? Duke e ditur që heshtja dhe mosveprimi janë po aq korruptive sa vetë korrupsioni a po e ndaj unë dijen, përvojën dhe besimet e mia me shoqërinë? A po e vjedh te pesha klientin e mallit tim, e pastaj ankohem që po më zhvat qeveria? A po e kryej me korrektësi punën që më ka caktuar pronari apo po e sabotoj atë? A i vlerësoj njerëzit sipas meritës apo parave që ata kanë? A i gjykoj njerëzit nga ajo çfarë janë apo nga çfarë kanë? A jetoj vetëm për veten dhe të afërmit e mi, pa u interesuar për të tjerët dhe shoqërinë në tërësi?
Nëse përgjigja jote e kësaj të fundit është PO, atëherë mos u anko më kot pasi edhe të korruptuarit kështu u janë përgjigjur kësaj pyetje. “Facilis descensus Averno” (zbritja për në ferr është fare e lehtë) shkroi Virgjili te vepra e tij Eneida. Rënia e një shoqërie në korrupsion është fare e lehtë nëse integriteti individual nuk bën rezistencë përmes virtyteve civile dhe njerëzore.
Gjendja e mjerueshme e vazhueshme e vendit tonë nën fenomenin e korrupsionit ka shumë faktorë e aktorë, të dukshëm e të padukshëm, ndër të cilët, ata më pak të përmendur, janë intelektualët. Historia na mëson se çdo ndryshim shoqëror ka nisur nga idetë dhe platformat intelektuale, nga përfshirja e mendjeve më të mprehta në aferat shoqërore. Gjatë tre dekadave post-komuniste, mjerisht, ndikimi i intelektualëve me ide të mirëfillta reformuese ka qenë minimal, por edhe në ato pak raste, ka qenë mediokër, e për këtë arsye kemi patur qeverisje mediokër, drejtues mediokër, kulturë mediokër, vizion dhe zhvillim mediokër, avant garde në asgjë e mediokër në gjithçka. Dhe ky mediokritet, i shndërruar në
normë, krijoi habitatin më të volitshëm për korrupsionin, i cili jo vetëm që nuk shkulet dot vetëm për një ditë, siç është sot Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, por vështirë të zbutet për një kohë të gjatë, për aq kohë sa vetë individët mbeten indiferentë, intelektualët të papërfshirë e tejet mediokër, rinia
mos-reaguese, dhe populli i thjeshtë që nuk e kupton se korrupsioni paguhet nga të varfërit.
Një shoqëri që nuk reagon shuhet. Siç paralajmëroi Ayn Rand te libri Revolta e Atlasit: “Fatkeqësisht, paraja është barometri i virtytit të një shoqërie. Kur sheh se po tregtohet, jo me dashje, por me detyrim – kur sheh që për të prodhuar, duhet të marrësh leje nga njerëzit që nuk prodhojnë asgjë – kur sheh se paratë po rrjedhin drejt e te xhepat e atyre që tregtojnë, jo mallra, por favore – kur sheh që njerëzit pasurohen me ryshfete dhe me dredhi… sesa nga puna, dhe ligjet nuk të mbrojnë dot ty nga ata, por i mbrojnë ata nga ti – kur sheh korrupsionin që shpërblehet dhe ndershmëria vetëflijohet – atëherë dije se shoqëria jote ka marrë fund.”