Nga Artur Meçollari
E Drejta Kombëtare e Detit
Me Dekretin nr. 4650, datë 9 mars 1970, “për kufirin shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë”, Shqipëria përcaktoi për herë të parë vijën e drejtë bazë përgjatë bregdetit të detit Adriatik. Ky dekret mbylli me vijë të drejtë bazë nga kepi i Rodonit deri tek kepi i Gjuhëzës. Vija e drejtë bazë do të përmirësohej më vonë me Dekretin nr. 5384, datë 23 shkurt 1976, i cili do të mbyllte edhe gjirin e Drinit dhe bregdetin jugor nga gjiri i Gramës deri tek kepi i Mërtesës.
Dekretit nr. 4650, datë 9 mars 1970, rikonfirmoi gjerësinë e detit territorial 12 milje detare të Shqipërisë, gjerësi në përputhje me Konventën e OKB-së mbi Detin Territorial të vitit 1958 dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare. Nga viti 1946 deri në vitin 1961 Shqipëria kishte ndryshuar disa herë gjerësinë e detit territorial 1) deri 9 dhjetor 1946 e papërcaktuar por e pranuar 3 milje detare nga e drejta zakonore ndërkombëtare e detit, 2) me VKM nr. 168, datë 9 dhjetor 1946, zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 6 milje detare, 3) me Dekretin nr. 1535, shtator 1952, zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 10 milje detare, dhe 4) me Dekretin nr.3321, shtator 1961, zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 12 milje detare.





