Tiranë, 31 mars 2014 – Gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 muaj burg Edmond L. nga Kamza, i cili u shpall fajtor për dhunimin e bashkëshortes. Mësohet se Edmondi e kishte rrahur dhe kërcënuar me thikë bashkëshorten, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk i kishte blerë birrë në vaktin e darkës.  Gjykata vendosi ta dënojë Edmond L. me 9 muaj burg, por ai do të kryejë vetëm 6 pasi tre muaj ka qëndruar në paraburgim. 

Gjyqtari Artan Gjermeni tha se i pandehuri, 9 muaj më parë debatoi me bashkëshorten pasi në tavolinën e ngrënies mungonte birra. Më pas debati degjeneroi dhe Edmondi e dhunoi bashkëshorten dhe e kërcënoi me jetë. Sipas burimeve, mësohet se çifti ka gati 20 vjet i martuar dhe ka tre fëmijë. Ka qenë gruaja ajo që bëri kallëzimin në polici, pasi bashkëshorti e dhunonte vazhdimisht.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/