Statistikat e 9 mujorit të këtij viti flasin për rritje të volumit të mallrave të përpunuara në portin më të madh në vend krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse rritja nuk është e ndjeshme, vetëm 1%, sërish ky është një lajm i mirë duke pasur parasysh këtu efektet e krizës ekonomike që ka përfshirë Europën.

Sipas burimeve portuale në periudhën janar-shtator të këtij viti janë përpunuar në kalatat e portit më shumë se 2.6 milion ton mallra, duke shënuar kështu shifra pozitive për importet dhe eksportet. Sërish mallrat e importuara vazhdojnë të zënë volumin më të madh të mallrave të përpunuara në port.

Tragetet dhe anijet tregtare kanë eksportuar jashtë vendit rreth 968 mijë ton mallra të ndryshme, ndërkohë që janë importuar rreth 1 milion e 646 mijë ton mallra. Duke folur me gjuhën e shifrave gjatë kësaj periudhe janë eksportuar 11 mijë tonë mallra me shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që importet janë 10 mijë ton më shumë.

Si gjithnjë mineralet vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të volumit të mallrave të eksportuara. Vendin e parë e zë çimentoja me 194 mijë ton, ndërkohë që llamarinat prokate zënë vendin e dytë me 125 mijë ton. Për t’u theksuar është fakti se gjatë kësaj periudhe është vënë re se është ulur volumi i mallrave të transportuara me tragete, ndërkohë që është rritur ai i anijeve tregtare.

Pas hapjes së zyrës së përfaqësimit të APD-së në Shkup të Maqedonisë, porti i Durrësit synon të tërheqë bizneset maqedonase, të cilat deri më tani veprimet tregtare i kanë kryer përmes portit të Durrësit. Domosdoshmërisht kjo do të përkthehej me rritjen e volumit të mallrave dhe shtimin e numrit të operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtarinë në portin më të madh në vend.

Nga ana tjetër shifra pozitive janë regjistruar edhe në transportin e mallrave me konteinerë. Gjatë 9 mujorit janë transportuar gjithsej 312 mijë ton mallra me njësi konteinerike, ndërkohë që anijet kanë transportuar 64.139 konteinerë me mallra, ose 3.663 njësi më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.