9 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit në Durrës, nga 158 të infektuar në shkallë vendi.
Një prej të infektuarve në qytetin bregdetar është një punonjëse e Kadastrës Durrës, e cila javën e kaluar ka qenë me leje të zakonshme. Sipas drejtorit të Kadastrës, Artur Çobani, pas rikthimit nga pushimet, punonjësja e zyrës së hartografisë nuk është paraqitur në punë, pasi kishte njoftuar paraprakisht se kishte pak temperaturë. Rezultati i tamponit të saj ka rezultuar pozitiv dhe punonjësja është karantinuar në shtëpi.
Sot është bërë dezinfektimi i zyrave të institucionit të Kadastrës, megjithëse Çobani bën të ditur për DurrësLajm se punonjësit e tjerë të zyrës kishin marrë lejen e zakonshme ditët e fundit dhe për pasojë nuk kanë qenë në kontakt me kolegen e tyre që rezultoi pozitive.
Kadastra e Durrësit ishte një ndër institucionet e para që u karantinua në fillim të muajit qershor, pasi dy punonjëse të saj rezultuan pozitive me koronavirus.
Duke marrë shkas nga rasti më i fundit i dalë pozitiv, drejtori i Kadastrës Durrës ka një apel për qytetarët, që të shmangin sa më shumë ecejakjet në këtë institucion.
“Thuajse të gjitha shërbimet u ofrohen online qytetarëve. Nuk është e nevojshme që ata të paraqiten në zyrat e Kadastrës, sidomos në këtë periudhë kur autoritetet e shëndetësisë apelojnë për kujdes të shtuar në rradhët e popullsisë”,- thotë Çobani.
Ndërkohë, punonjës të karantinuar ka edhe në shumë institucione të tjera shtetërore në Durrës, si Sigurimet Shoqërore, Njësitë Administrative, mësues në disa shkolla të qytetit etj.
Në qarkun e Durrësit rezultojnë të jenë 463 persona aktivë me Covid-19, ndërsa e kanë humbur deri tani betejën me sëmundjen 33 persona.
M.B.





