Të kalosh tek vijat e bardha, tek semafori i vendosur në kryqëzimin e Unazës që lidh zonën e Plazhit me Arapajn është mjaft e rrezikshme. Kjo për shkak se koha kur semafori lejon kalimin e këmbësorëve është mjaft e shkurtër dhe u jep mundësi atyre të shkojnë deri tek trafikndarëset, në mes të segmentit rrugor.
“Është një kohë shumë e shkurtër, duhet të kalosh me vrap!”
“Një grua shtatzënë, një invalid ose një i moshuar duhet të kalojnë për 9 sekonda gjithë këtë rrugë. Unë që jam djalë i ri nuk e kaloj dot me hap”.
“Nga këtu deri në fund 10 sekonda nuk mjaftojnë, është e pamundur.
Rrezikun vdekjeprurës që përbën ky aks e dëshmojnë edhe lapidarët e shumtë, të viktimave të aksidenteve tragjike. Të shtunën e javës së kaluar, i moshuari Demir Teta u përplas për vdekje në një tjetër kryqëzim pak metra më tej, në të njëjtin vend ku një aksident i rëndë u regjistrua në muajin janar, në të cilin mbeti i plagosur një 69-vjeçar.
Mungesa e mbikalimit dhe ajo e ndriçimit në këtë zonë përbën një rrezik të vazhdueshëm për jetën e banorëve.
“Ke lapidar aty, atje ke tjetër. Janë 4 vdekje”.
“Është shumë kryqëzim i rrezikshëm, si për makinat, si për këmbësorët”.
“3 aksidente mbaj mend unë këtu. Ai 81-vjeçari i shkretë (Demir Teta) ishte e tretë herë që e përplaste makina”.
“Është i rrezikshëm, sidomos për fëmijët e vegjël. Këtu mungon dhe ndriçimi, që përbën akoma më shumë rrezik.”
Megjithëse unaza Shkozet – Plepa kalon përmes një zone, ku nga të dy anët e segmentit ka përqendrim të madh banesash, mungesa e mbikalimit ndër vite ka qenë shqetësimi kryesor i banorëve.
Përgjatë gjithë gjatësisë së saj, unaza ka segmente të caktuara në të cilat është funksional ndriçimi publik dhe të tjera, që janë në errësirë të plotë duke vënë në rrezik në orët e natës jetën e çdo përdoruesi të rrugës.
M.B.





