Amy Winehouse ndërroi jetë në mënyrë tragjike në 23 korrik të vitit 2011. Asokohe, bota vajtoi humbjen e një prej këngëtarëve më të mëdha të industrisë së muzikës.

Vetëm 27 vjeçe, këngëtarja u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj në “Camden Square”, Londër.

Amy Jade Winehouse ka lindur më 14 të vitit 1983 dhe jeta e saj u shkatërrua nga teprimi me alkoolin dhe drogën.

Vajza e një taksisti dhe një farmacisteje, që ishte rritur në periferi të Londrës, në Southgate, Winehouse bezdisej në shkollë dhe rebelohej kundër mësimdhënësve të saj, për shkak se ishte e interesuar në vetëm një lëndë: muzikë.

Në moshën 12 vjeçe Amy me shumë vetëbesim kishte konkurruar në shkollën prestigjioze të teatrit “Sylvia Young Theater School”.

Amy Winehouse ishte 19-vjeçare kur nënshkroi kontratën e parë për incizim. Një vit më vonë, albumi i saj debutues, “Frank” u lansua dhe menjëherë arriti të renditej në vend të tretë të top listave muzikore britanike. Amy jo vetëm që këndonte, por gjithashtu shkruante për jetën e saj. Në albumin “Frank” ajo fliste edhe për lidhjen që kishte pasur me ish-të dashurin.

Amy ishte grua e bardhë me zërin “soul” të një gruaje me ngjyrë dhe ky fakt i kishte entuziazmuar kritikët e muzikës. Vetë ajo ishte e inspiruar nga vitet ’60, dhe kishte thënë se idhuj të saj janë Vaughan, Dinah Washington dhe Ella Fitzgerald.

Këngëtarja unike po ashtu ishte shquar për stilin e modës të inspiruar nga vitet ’60, me flokët e veçantë dhe vijën e trashë e të zezë që aplikonte në sy.