9 vite pas përfundimit të punimeve në rrugën paralel me portin e Durrësit, pronarët të cilët duhet të përfitonin dëmshpërblimet nga procesi i shpronësimeve, ende nuk kanë marrë paratë.
Fakti pranohet nga avokatja Merita Dakovelli, e cila ka ndjekur proceset gjyqësore, të disa prej pronarëve, pasuritë e paluajtshme të të cilëve u prekën nga gjurma e rrugës.
Në dokumentin e botuar në Fletoren Zyrtare me nr.234, të vitit 2015, shkruhet se vlera e shpronësimeve për pasuritë e paluajtshme që preken nga ndërtimi i kësaj rruge kap vlerën 256.485.499 lekë.
Krahas vlerës së shpronësimeve, në të njëjtën Fletore Zyrtare është publikuar edhe lista e 23 familjeve, trojet e të cilave prekeshin nga gjurma e rrugës.
Sipas avokates Dakovelli, në atë kohë qytetarët nuk u vunë në dijeni përmes një njoftimi zyrtar, ndërkohë që edhe sot kur kanë fituar gjyqet, ata nuk janë shpronësuar.
“Nuk bëhen negociata me pronarët duke u cënuar siguria juridike, pra shkelen Kushtetuta dhe Konventat evropiane të të drejtave të njeriut. Një rast të tillë e kemi tek rruga paralel me portin. Unë nuk dua të evidentoj pronarët, por për rastin që unë flas, rruga është ndërtuar që në vitin 2015 dhe pronarët nuk janë shpronësuar ende. Bashkia e Durrësit ka çuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës një listë me emrat e pronarëve. Pronarët nuk kanë ditur gjë, nuk kanë pasur asnjë njoftim dhe kjo është në dëm të shtetit, sepse pas proceseve gjyqësore afatet për të cilat palët kanë të drejtën të ankimojnë edhe çmimin fillojnë nga momenti i ankimimit në gjykatë, ose nga momenti i bërjes publike të listës”,- thotë Dakovelli për “DurrësLajm”.
Botimi i listës së pronarëve që do të shpronësoheshin në atë periudhë nuk është pasuar nga një VKM e qeverisë Rama. Kjo i detyroi pronarët t’i drejtoheshin gjyqësorit, i cili u ka njohur jo vetëm vlerën e shpronësimit, por edhe kamatë vonesat e krijuara për shkak të mos kalimit të dëmshpërblimit.
“Lista është botuar në Fletoren Zyrtare dhe nuk kemi, ashtu siç e ka të përcaktuar ligji më pas hallkat dhe procedurat në të cilat kalon një proces shpronësimi publik, që pasi del lista me emrat e pronarëve del Vendimi i Këshillit të Ministrave. Në rastin konkret nuk ka ndodhur dhe palët, përveçse kanë fituar proceset gjyqësore, kanë fituar edhe kamatë vonesat, fitimin e munguar. Pra janë shumë penalitete që ka enti publik, ndërkohë që në zbatim të ligjit do të ishte shumë më komod që të negociohej dhe të zbatohej procedura.”
Prej gati 9 vitesh, rruga në fjalë është kthyer në një nga akset me ngarkesën më të lartë të lëvizshmërisë së mjeteve që hyjnë dhe dalin nga qyteti bregdetar, por pronarët e trojeve që u prekën nga gjurma e saj ende vijojnë të presin paratë e shpronësimeve.
“Sot kemi pronarët që kanë certifikatë pronësie dhe bashkinë që përdor rrugën. Kjo nuk duhet të ndodhi as me individin, jo më me një ent publik.”,- thotë avokatja Dakovelli.
M.B