Ka qenë një sfidë arrogante, një ofendim për të gjithë gazetarët, dalja publike e ish kolegut Dritan Yllit në media dhe mburrja për aktivitetin e Inspektoratit të Punës. Aktualisht, ish gazetari mban postin e kreut te Inspektoratit të Punës, institucioni përgjegjës për trajtimin e punonjësve dhe kushtet e ambientit të punës. I emëruar në këtë post nga LSI, Ylli ka asgjësuar tërësisht funksionet e këtij institucioni, shkruan “Lapsi.al”. Mjaft të hedhësh sytë si trajtohen sot gazetarët, një ambient pune që Inspektorati e shmang pavarësisht se në krye të tij është emëruar një gazetar.

Dritan Ylli foli për punëtorë, fasonë apo të sëmurë në punë, por nuk përmendi në asnjë rast faktin se gazetarët shqiptarë janë në 90% të tyre të papaguar. Kur kanë mbetur shumë pak media, që vazhdojnë të jenë korrekte me punonjësit e tyre për pagat, kur tregu mediatik në Shqipëri është në kushte katastrofale dhe gazetarët largohen nga puna në mënyra poshtëruese, Dritan Ylli u mburr si kishte zgjidhur problemet e pastrueseve në një Bankë apo për punëtorët në një fasoneri. Madje në fjalën e tij, Ylli tregoi si kishte ndërhyrë në një ndërmarrje ku punonjësit mbaheshin jashtë orarit të punës dhe nuk paguheshin për këtë. Qesharake, kur mendon se ka media, ku gazetarët, ish-kolegë të Dritan Yllit nuk paguhen prej 5 apo 6 muajsh.

Marrë nga “Lapsi.al”