Pensionet në Shqipëri janë aq të ulëta sa i gjithë brezi i pensionistëve që ndërtuan Shqipërinë, veprat më të mëdha në energjetikë, infrastrukturë, në bonifikimin e Kënetave, në ndërtimin e apartamenteve me punë vullnetare etj, janë të detyruar të jetojnë në mjerim, sepse pensioni i ulët nuk iu mundëson asgjë.
Latif Dedej është 90 vjeç, por çdo ditë e shikon në markatë ku përpiqet të blejë produktet ushqimore për veten dhe bashkëshorten e tij të moshuar. Me pensionet minimale, i moshuari me origjinë nga Ndroqi thotë se vetëm mbijetojnë. Ndoshta është ndër të paktët që ka mbetur gjallë të këtij brezi që edhe pse kanë qenë fëmijë, kanë kontribuuar për çlirimin e atdheut.
I moshuari thotë për “DurrësLajm” se menjëherë pas pushtimit Italian të 7 Prillit 1939, është angazhuar si korrier i çetës së Pezës. Komunikatën e partizanëve nga Peza e dërgonte në Durrës apo Kavajë. Më pas ka punuar me specialistët nga Bashkimi Sovjetik që erdhën në Shqipëri e më pas është marrë me punë fshati. Në 1960-n ka mbërritur në Durrës e ka punuar në komunale në punë shumë të vështira. Ka marrë 150 mijë lekë të vjetër pension në muaj, e paguan 70 mijë faturat e ujit e të dritave.
“Me çfarë do ushqehemi unë dhe gruaja?”, pyet i moshuari, i cili në treg nuk kërkon cilësinë, por vetëm sasinë e produkteve të pakta që zgjedh te disa tregtarë që i njeh ndër vite. Si Latifi, janë të shumtë pensionistët që numërojnë qindarkat që iu duhet të shpenzojnë në ditë për t’u ushqyer.
K.H.





