Durrës, 29 shtator 2014 – Familjarë, të afërm, dashamirës të Ramazan Njalës vendosën ta përkujtojnë 90 vjetorin e lindjes së Zanit në një mënyrë të vecantë. Ata përpiluan një libër me kujtime për Zanin të titulluar “Jeta mes Kujtimeve”. Në libër nëpërmejt kujtimeve të bashkëkohësve të Zanit, si edhe të një numri të madh fotosh kryesisht bardh e zi pasqyrohet në retrospektivë jeta e Ramazan Njalës (1922-1982).
Thelbi i jetës publike të Ramazan Njalës përmblidhet në dy tituj, në dy mirënjohje të fituara nga ai për kontributin e një jete të tërë. Zani është edhe Mjeshtër i Sportit edhe Aktor i Merituar. Sot është krejt e pazakontë që një sportist të shkëlqejë në disa sporte madje edhe pak të lidhura me njeri tjetrin duke marrë medalje, fitore, thyejer rekordesh etj.

Faktikisht në vitet 40-60 disa sportistë shqiptarë u shquan si poliedrikë në sport. Njëri prej tyre ishte edhe Ramazan Njala. Atë e gjen pjesëtar të ekipit kampion të Durrësit edhe në basketboll edhe në volejboll. Ai lë gjurmë si sportiest i kalibri të lartë edhe në not e vaterpol, por edhe në hendboll e futboll. Madje, madje Zani shquhet edhe në garën 10 000 metra ecje sportive. I tillë ishte mjeshtëri i sportit Zan Njala. Faktikisht Zani ishte jo vetëm mjeshër i sportit, por edhe usta i skenës.
Ai që herët u profilizua si aktor i humorit duke qenë një nga “stekat” e Estradës profesioniste të Durrësit. Zani si aktor humori, ndonëse me të drejtë konsiderohet si “babai” i kupletit shqiptar, ishte i gjithanshëm. Ai ishte parodist, kupletist, imitues, këngëtar, aktor humori (në skece dhe komedi), njëkohësisht ndër të parët aktorë të filmave të parë humoristikë shqiptarë. Kujtojmë këtu filmin “Duke kërkuar 5-orëshin”, film që edhe sot shkakton të qeshura dhe për problematikën e trajtuar mbetet aktual. Zani në skenën e humorit dhe filmit shqiptar nuk ishte vetëm aktor, por edhe krijues. Repertori i Estradës së Durrësit u pasurua jo pak nga skecet, paroditë, apo kupletet e shkruara nga Zani.
Një tjetër dimension i Ramazan Njalës është qënia e tij një durrsak i mirë. Kur them njeri i mirë, nuk kam parasysh thjesht një baba i dashur për të bijat apo një bashkëshort i kujdesshëm. Jo ai ishte një njeri i mirë, që nuk i bëri kurrkujt keq, që u mundua si e si t’i bënte mirë kolegëve në art e sport, bashkëqytetarëve të tij.. Të mos bëje keq në diktaturë nuk ishte punë e lehtë, por Zani i tillë ishte, thjesht një durrsak i mirë. Zani madje dinte të falte edhe ata, që i bënin keq. Dinte të falte edhe ata, që i sulmonin familjen. Dinte të falte edhe partiakë zemër kazëm, që ia zbrisnin dhëndërrin nga skena për “klecka” në biografi duke u bërë më katolikë se Papa d.m.th. më komunistë se Komiteti i Partisë.
Ky ishte Zan Ngjala, sportist, artist e mbi të gjitha NJERI I MIRË !
(Gj.Th. /Agjencia e Lajmeve Dyrrah)





