242 monitorime janë kryer nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor Durrës gjatë 2 javëve të para të janarit me qëllim kontrollin e zbatimit të protokolleve për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe certifikatën e vaksinimit.

Kryeinspektori i ISHSH Indrit Cerloj bën të ditur për “DurrësLajm” se në 80 institucione publike të kontrolluara kanë dorëzuar certifikatën e vaksinimit rreth 95% e personelit të tyre.

Nga drejtoritë, më dobët në këtë performancë paraqitet Ndërmarrja e Shërbimit Komunal, ku një pjesë e konsiderueshme e punonjësve ende nuk kanë plotësuar formularin në e-Albania.

“Rreth 250 punonjës nuk kanë dorëzuar akoma certifikatën e vaksinimit nga 6744 që janë në total në qarkun e Durrësit”,- tha Cerloj.

Ndërsa institucionet apo drejtoritë me numrin më të lartë të punonjësve të vaksinuar janë Autoriteti Portual, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Bashkia Durrës, Ndërmarrja Rruga etj.

Shumë e mirë paraqitet situata në subjekte private si fasoneri apo supermarkete, të cilat sipas drejtorit Cerloj në disa raste e kanë 100 përqind të stafit të vaksinuar.

Nga kontrollet dhe rikontrollet e ushtruara gjatë këtij dy javëshi për certifikatën e vaksinimit, inspektorët e ISHSH nuk kanë vendosur ende masa administrative. Ndërsa gjatë vitit që lamë pas janë prerë në total 21 gjoba, nga të cilat 13 kanë qenë në subjekte private si markete, bar-kafe etj.

“Gjatë gjithë vitit 2021 janë kryer në total mbi 37 mijë monitorime duke përfshirë këtu dhe këshillimin e individëve për mbajtjen e maskës. Krahas masave administrative janë vendosur 146 paralajmërime si dhe janë marrë në total 22 vendime mbylljeje, duke përfshirë këtu edhe laboratorë që nuk janë njohur nga Ministria e Shëndetësisë për marrjen e tamponëve”,– tha kryeinspektori Cerloj.

Momentalisht, kontrollet e ISHSH Durrës janë përqendruar në institucionet arsimore, ku siç konfirmoi pak ditë më parë drejtoresha e NJVKSH-së Aurora Hyka, ka raste të shtuara me Covid tek nxënësit dhe mësuesit, por jo mbyllje të klasave, pasi situata është nën kontroll.

M.B.