“Është ora shtatë, turni përfundoi. 12 orë në shërbim”.

Futesh në orën 07.00 dhe del në orën 19.00. Hyn me dritë dhe del në errësirë. Ky është rituali i personelit mjekësor në Itali.

“Para se të ikim futemi në dush. Lahemi nga koka tek këmbët. Të krijon idenë se po largojmë virusin, po dalim të pastër. Më pas shkon tek makina dhe e gjithë dita të kalon para syve. Do vetëm të heshtësh, as radion nuk e ndez”.

Ky është rrëfimi i Paolo Miranda-s, infermier prej 9 vitesh. Punon në reanimacion dhe terapi intensive, në Kremona.

“Jemi barriera e fundit. Tek ne mbërrijnë pacientët në kushtet më të rënda. Dhe është çmenduri t’u thuash të rinjve se janë të përjashtuar nga kjo situatë emergjente. Ka edhe të rinj!”,- thotë Miranda.

Paolo ka pasion fotografinë, por për pasionin e tij nuk ka më kohë. Për këtë arsye ka marrë aparatin dhe ka dokumentuar punën që bëhet në vijën e parë të luftës ndaj koronavirusit. Në një nga fotot e tij, një kolege është ulur përtokë, e rraskapitur. Qan.

“Në momentin kur ndihej e dëshpëruar, kryeinfermierja i shkoi pranë, u përkul dhe i tha se gjithçka do shkojë mirë. Jemi njerëz, nuk jemi heronj”,- vijon rrëfimin e tij Miranda.

Shtretërit në reanimacion janë plot.

“Që nga fillimi i emergjencës nuk kam parë një pacient të zgjohet, këtu të gjithë janë të intubuar. Dhe për më tepër, të vetëm. S’ka të afërm që vijnë e ikin me çantat me rroba. Reparti është i mbyllur. Të gjithë mbeten jashtë. Njëri nga ne, në fund të ditës merret me telefonatat. Ka prindër e fëmijë që mbajnë shpresën nga telefoni, shpresojnë në telefonatën tonë. Por shumë telefonata janë të vështira. Ka njerëz që vdesin këtu, me të njëjtat rroba që kishin kur hynë”,- tregon ai i tronditur për Corriere della Sera.

Por ka dhe momente shpresëdhënëse. Miranda tregon një prej tyre.

“Dy ditë më parë, një kolegia ime bëri tamponin. Ishim në shërbim, kur i thanë se kishte dalë negativ. Nisi të hidhej përpjetë në repart prej gëzimit”.

Pas 12 orësh, turni përfundon dhe Paolo shkon në shtëpi.

“Jetoj bashkë me gruan time, Corinne. Edhe ajo është infermiere. Edhe në darkë flasim për koronavirusin. Mendojmë dhe rimendojmë për atë që kemi bërë, për të nesërmen, për kohën kur gjithçka do të mbarojë”.

Më pas vjen nata, por situata nuk ndryshon.

“Zgjohem papritur, fle pak. Nganjëherë rrotullohem dhe shoh gruan time me sytë hapur. Edhe ajo nuk fle”,– rrëfen më tej Paolo.

Më pas bie zilja. Ora 05.30. Të shpresojmë se do të jetë ditë e mbarë…